Hekmatyar: Disa shtete investojnë që lufta në rajon të mos ndalet

Gulbuddin Hekmatyar, lideri i Partisë Hezbi Islami në Afganistan, e cila për 14 vite ka luftuar me qeverinë në Afganistan, ka thënë se në rajon ka qarqe që për interesa të tyre japin përpjekje që lufta të mos ndalet, duke shtuar se “ka ca shtete që bëjnë investime të mëdha për këtë gjë”.

Lideri i Partisë Hezbi Islami, Hekmatyar, i cili është kthyer në kryeqytet, Kabul, pas nënshkrimit të marrëveshjes për paqe me shtetin e Afganistanit muajt e kaluar, zhvilloi bisedën e parë në median botërore për Anadolu Agency (AA).

Hekmatyar thotë se armiqtë e fesë islame nuk i lënë të qetë afganët si në paqe, ashtu edhe në luftë; pra, siç thotë, ata janë në humbje në të dyja gjendjet.

“Lufta ende vazhdon në Afganistan dhe gjaku vazhdon të derdhet. Shpresoj se do të vijë një ditë kur populli i Afganistanit të mos jetë viktimë e luftës dhe të mos derdhet gjaku i tyre”, shprehet Hekmatyar.

Gulbuddin Hekmatyar konsideron se armiqtë e shtetit gjithnjë janë në pritë në mënyrë që lufta të vazhdojë, gjë për të cilën ai thotë se bëjnë investime të mëdha.

Ai vë në dukje se populli i Afganistanit është mbytur nga luftrat që prej rreth 40 vitesh dhe se këto luftra i imponohen popullit afgan nga shtete të tjera nga jashtë.

“Bashkimi Sovjetik na ka lënë trashëgimi luftën”

Hekmatyar tregon se Bashkimi Sovjetik, edhe krahas tërheqjes nga Afganistani, u kishte lënë trashëgimi luftën dhe se luftrat aktuale janë vazhdimësi e saj. Ai thotë se dallimi është se atëherë lufta zhvillohej e kryesuar nga Moska, kurse tani nga Washingtoni.

Ai është i mendimit se lufta në Afganistan ka arritur drejt fundit. Siç thotë, njerëzit janë lodhur nga lufta dhe tani janë të vetëdijshëm se problemet e Afganistanit mund të zgjidhen përmes përpjekjeve të afganëve.

“Ne do të takohemi me të gjitha grupet dhe do të përpiqemi të gjejmë një rrugë të zgjidhjes. Në kontaktet që kemi pasur, kemi hasur në prirje për t’iu qasur kësaj pune. Secili ka kujtime të këqija nga lufta dhe për këtë arsye nuk dëshirojnë që ajo të përsëritet”, thotë Hekmatyar.

Hekmatyar konsideron se ata që duan të përfitojnë gjëra përmes luftrave tanimë e kanë kuptuar se nuk mund të kenë sukses me armë moderne dhe ushtri të fuqishme dhe se nuk ka fitues të këtyre luftrave.

“Do ta mbështesin qeverinë aktuale”

Hekmatyar më tej thotë se nuk kanë për qëllim ndërrimin e qeverisë dhe se do ta mbështesin pa asnjë kusht qeverinë për hirë të përfundimit të luftës dhe ardhjes së paqes. Ai thekson se nuk dëshirojnë as pozita e as partneritet qeverisës nga pushteti.

Ndërkaq, Hekmatyar ka folur edhe për sulmin e fundit në Kabul, duke nënvizuar se autorët e këtij sulmi janë të njerëz të egër dhe nuk kanë mëshirë për asgjë.

Ai është i mendimit se ky sulm nuk është kryer nga afganët, porse në të kanë gisht qarqe të jashtme.

“Në këtë sulm kanë gisht forcat e jashtme. Ata nuk njohin asnjë kufi”, thotë Hekmatyar, duke shtuar se vepra të tilla bëjnë vetëm njerëz zemërgurë të cilët nuk besojnë Zotin dhe nuk kanë mëshirë ndaj njerëzve.

“Populli turk është burim krenarie për botën islame

Në fund, Hekmatyar ka theksuar se ndihet krenar me popullin turk dhe se populli turk është burim krenarie për të gjithë botën islame.

“Edhe lufta e popullit turk në kryengritjen e 15 korrikut është për t’u krenuar. Turqit i treguan botës se Turqia është e fuqishme. Populli turk meriton të marrë lidershipin e botës islame”, ka thënë Hekmatyar.

Marrëveshja e paqes mes Hekmatyar dhe presidentit afgan Ashraf Ghani u nënshkruar vitin e kaluar, sipas të cilës, ndër të tjera, Gulbuddin Hekmatyar dhe anëtarët e partisë hiqen nga lista e zezë dhe përfitojnë nga mundësitë shtetërore, kurse të pjesëtarët e burgosur lëshohen në liri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne