Bota

Helmimi i ish-spiunit në Britani, Ministria e Jashtme Ruse: Kjo është e vërteta e çështjes “Skripal”

Ambasada ruse në Tiranë ka publikuar një promemorie të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, ku kjo e fundit tregon se si qëndron e vërteta mbi çështjen “Skripal”.

Të nderuar miq, më poshtë ju ofrojmë një tekst mjaft të gjatë, por mjaft të nevojshëm pasi ju jep një pasqyrë të plotë të situatës së krijuar pas atentatit ndaj Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij në Britaninë e Madhe. Është një material i përgatitur nga MPJ ruse për trupin diplomatik të akredituar në Moskë.

PROMEMORIE e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë për situatën reale me të ashtuquajturën “çështje Skripal”

1. Më 12 mars 2018 Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May gjatë fjalës së saj në Dhomën e Përfaqësuesve deklaroi se “ka gjasa të larta” që Federata Ruse është përgjegjëse për helmimin më 4 mars 2018 në Salisbury të ish-kolonelit të GRU-së, agjentit të dyfishtë Sergej Skripal dhe vajzës së tij Julia me një substancë nervore sipas klasifikimit britanik A-234.

Britania e Madhe e ka denoncuar publikisht “fshehjen” e një pjese të arsenalit kimik rus, si edhe “përdorimin” e tij nga ana e Rusisë. Përkatësisht, fjala atje bëhej për “shkeljen” e obligimeve të Rusisë sipas Konventës për ndalimin e zhvillimit, prodhimit, magazinimit dhe përdorimit të armëve kimike dhe për asgjësimin e tyre (KNAK), një nga marrëveshjet shumëpalëshe më efikase në fushën e çarmatimit dhe mospërhapjes, në origjinë të hartimit të së cilës ishte edhe vendi ynë.

Pra, Britania e Madhe doli jo vetëm kundër Rusisë, por edhe kundër vetë Organizatës për ndalimin e armëve kimike (ONAK) dhe punës kolosale që është kryer në kuadër të kësaj Organizate gjatë 20 viteve të fundit, përfshirë edhe me kontributin e vetë Britanisë së Madhe.

Në përputhje me kërkesat e nenit III të KNAK-ut Federata Ruse ka paraqitur informacionin e plotë për rezervat e saj të armëve kimike. Këto të dhëna u verifikuan hollësisht dhe u konfirmuan nga grupet e inspektimit të Sekretariatit Teknik të ONAK-ut. Pra, asgjësimi total i arsenalit kimik rus u konfirmua zyrtarisht nga institucioni i autorizuar ndërkombëtar që është ONAK-u.

2. Duke marrë parasysh seriozitetin e akuzave të ngritura ndaj vendit tonë, më 12 mars 2018 Ambasada e Rusisë në Londër i dërgoi Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe një notë duke kërkuar akses tek rezultatet e hetimit, përfshirë këtu edhe mostrat e substancës kimike që u përmend nga hetuesit britanikë, që të studiohen nga specialistët në kuadër të një hetimi të përbashkët.

Pra, ne propozuam që të veprohet në bazë të nenit IX, pika 2, të KNAK-ut. Ky nen u sugjeron palëve të Konventës të rregullojnë në bazë të shkembimit të imformacionit dhe konsultimeve dypalëshe çdo çështje që mund të krijojë dyshime lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare. Në bazë të dispozitave të këtij neni, Rusia do të ishte e gatshme të përgjigjej ndaj kërkesës së Britanisë së Madhe brenda afatit 10-ditor.

Për fat të keq, pala britanike nuk e pranoi këtë mënyrë veprimi dhe në vend që të mbeshtetej mbi normat ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare, preferoi një politizim të pandershëm të çështjes në fjalë.

3. Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May propozoi më 14 mars të thirret një mbledhje e posaçme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me qëllim diskutimin e kësaj çeshtjeje. Duke parashikuar një lojë të pistë nga ana e Londrës, Rusia insistoi që seanca e Këshillit të zhvillohej me dyer të hapura.

Nuk dihet se çfarë dëshiroi të arrinte pala britanike duke shtruar këtë temë për diskutim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kjo temë nuk i takon aspak mandatit të Këshillit. Është evidente që derisa të vijë konkluzioni i ONAK-ut me vlerësimin e saj të incidentit në Salisbury, çdo debat rreth kësaj çështjeje bëhet thjesht i pakuptim (është e rëndësishme të dimë nëse u përdor me të vërtetë një substancë nervore; dhe në qoftë se ndodhi kështu, atëherë si u identifikua origjina e mundshme e lëndëve kimike; çfarë veprimesh janë ndërmarrë ndaj viktimave; ku janë bazuar këto veprime, etj.).

4. Më 14 mars 2018 Kryeministrja e Britanisë së Madhe Theresa May duket se erdhi në vete dhe në fund të fundit i dërgoi Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit Teknik të ONAK-ut z. Ahmet Uzumcu një letër, i cili u shpërnda mes të gjitha vendeve anëtare të Bordit Ekzekutiv të ONAK-ut më 15 mars 2018, ku Sekretariatit Teknik iu propozua që të kryente një “analizë të pavarur të rezultateve të hetimit britanik” për incidentin në Salisbury.

Siç tregon njoftimi për shtyp i Ministisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, datë 18 mars 2018, në vijim të letrës së znj. May përfaqësuesi i përhershëm i Britanisë së Madhe në ONAK i ftoi ekspertët e Sekretariatit Teknik të ONAK-ut për të vizituar Britaninë e Madhe me qëllim zhvillimin e një analize të pavarur të përfundimeve të nxjerra nga laboratori britanik në Porton Down për sa i përket incidentit në Salisbury. Më 19 mars 2018 specialistët e ONAK-ut mbërritën në Britaninë e Madhe.

Rusia po pret nga ONAK-u të paraqesë një raport të detajuar zyrtar për gjithçka që ka të bëjë me “çështjen Skripal”. Presim që Sekretariati Teknik i ONAK-ut të zhvillojë një hetim të mirëfilltë dhe të pavarur duke zbatuar të gjitha dispozitat përkatëse të KNAK-ut.

5. Rusia ka gjithnjë e më shumë pyetje si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë praktik. Dhe do të kërkojmë me këmbëngulje sqarimin e tyre përmes ONAK-ut.

Rusia deklaron se nuk i ka përdorur armët kimike kundër Britanisë së Madhe. Mendojmë se “sulmi” me kimikate toksike ndaj Skripalëve duhet të konsiderohet si një akt terrorist. Duke qenë se nga ky incident u prek dhe një shtetase ruse Julia Skripal, propozojmë të bashkëpunojmë me palën britanike në bazë të nenit IX të KNAK-ut.

Do të donim të sqaronim disa aspekte si më poshtë.

Duam të dimë se ku, kush dhe në çfarë menyre i ka marrë mostrat e substancës kimike nga Sergeji dhe Julia Skripal? Në çfarë menyre e gjitha kjo është dokumentuar? Kush mund të çertifikojë vërtetësinë e të dhënave të mbledhura? A janë zbatuar të gjitha kërkesat e ONAK-ut përsa i përket renditjes së veprimeve për mbledhjen e provave, që njihet ndryshe si “chain of custody”?

Me cilat metoda (analizë spektrale, etj.) pala britanike arriti brenda një afati kaq të shkurtër të identifikonte llojin e substancës kimike që gjoja është përdorur (sipas klasifikimit perëndimor “Noviçok”)? Siç e kuptojmë ne, për të bërë një gjë të tillë duhet të kesh në dispozicion një mostër standarde të një substance të tillë.

Si përputhet kjo ngutësi me deklaratat zyrtare të vetë Scotland Yard-it se “për të nxjerrë konkluzione përkatëse do të nevojiten disa javë dhe madje disa muaj punë”?

Në bazë të cilave fakte dhe shenja dëmtimi u mor vendimi i nxituar për t’u injektuar viktimave (Skripalëve dhe një oficeri të policisë britanike) antidote? Dhe a mos çoi ky nxitim në komplikacione serioze të gjendjes së tyre shëndetësore dhe në përkeqësim të mëtejshëm?

Cilat ishin konkretisht antidote të injektuara? Dhe në bazë të cilave analiza u mor vendimi për të përdorur preparate të tilla?

Si mund të shpjegohet efekti i ngadalësuar i substancës nervore, ndërkohë që ajo, sipas natyrës së vet, ka një efekt të menjëhershëm? Thuhet se viktimat u helmuan në një piceri (apo, sipas të dhënave të tjera, në makinë, në aeroport, në apartament, etj.). Por çfarë ndodhi realisht? Si ndodhi kështu që viktimat u gjetën pas disa kohe të papërcaktuar në një stol në rrugë?

Duhet të sqarohet se përse akuzat krejtësisht të pabaza për “çështjen Skripal” janë ngritur pikërisht kundër Rusisë, ndërkohë që zhvillimet shkencore me një emërtim të koduar perëndimor “Noviçok” janë bërë edhe në Britaninë e Madhe, SHBA, Suedi dhe Çeki? Rezultatet e arritura nga këto shtete në krijimin e substancave të reja helmuese të këtij lloji janë parashtruar në më shumë se 200 burime të hapura të vendeve anëtare të NATO-s.

6. Edhe nga pikëpamja krejtësisht humanitare veprimet e Londrës duken absolutisht barbare. Më 4 mars 2018 në territorin e Britanisë së Madhe (sipas interpretimit të vetë autoriteteve britanike) është zhvilluar një sulm me substanca kimike kundër një shtetase ruse Julia Skripal.

Federata Ruse kërkon të paraqiten informacione shteruese mbi ecurinë e hetimit të incidentit në Salisbury, nga i cili është prekur një shtetase ruse (nota verbale përkatëse e Ambasadës ruse në Londër është dërguar më 12 mars 2018).

Britania e Madhe shkel rregullat elementare të komunikimit ndërshtetëror dhe deri tani, pa shpjeguar arsyet, refuzon t’u sigurojë përfaqësuesve zyrtarë të Rusisë akses konsullor tek Julia Skripal, në bazë të Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet konsullore të vitit 1963. Kemi më shumë se dy javë që nuk mund të përcaktojmë me saktësi se çfarë ka ndodhur me shtetasen tonë dhe cila është gjendja e saj aktuale.

Më 16 mars 2018 Drejtoria e Përgjithshme për hetimin e çështjeve me rëndësi të posaçme pranë Komitetit Hetimor të Federatës Ruse ka ngritur një çështje penale lidhur me tentativën për vrasje me paramendim të shtetases së Federatës Ruse Julia Skripal, që është kryer me mjete të rrezikshme në territorin e Britanisë së Madhe.

Hetimi do të zhvillohet në përputhje me legjislacionin rus dhe normat e së drejtës ndërkombëtare. Në investigim planifikohet të përfshihen ekspertë me kualifikim të lartë.

Hetuesit janë të gatshëm për të punuar së bashku me organet kompetente të Britanisë së Madhe. Shpresojmë në bashkëpunimin e palës britanike.

7. Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në ONAK dhe në të gjitha organizmat e tjera ndërkombëtare Federata Ruse del në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse për një hetim të hollësishëm, të gjithanshëm dhe profesional të të gjitha krimeve me substanca helmuese, si edhe për çuarjen e përgjegjësve para drejtësisë.

Ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar në mënyrë të plotë dhe të hapur me Britaninë e Madhe për të hequr çdo shqetësim në raportet dypalëshe, në kuadër të ONAK-ut dhe dokumenteve të tjera nderkombëtare, dhe për të vepruar brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar.

Rusia si një anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe si një pjesëtar i ndershëm i KNAK-ut, kurrë nuk do të flasë gjuhën e ultimatumeve dhe nuk do të përgjigjet ndaj pyetjeve gojore jozyrtare.

Veprimet e vendeve perëndimore lidhur me “çështjen Skripal” që është fabrikuar prej tyre janë në kundërshtim jo vetëm me normat e së drejtës ndërkombëtare dhe praktikën e gjithëpranuar të marrëdhënieve ndërshtetërore, por edhe me gjykimin e shëndoshë. Sigurisht që të gjitha këto ne po i mbajmë shënim në mënyrë të detajuar, dhe me kalimin e kohës përgjegjësit do të marrin dënimin e pashmangshëm.

OPINIONE

INTERVISTA