Bota

“Hetimi mbi rastin Khashoggi, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”

Kryeprokuroria Publike e Stambollt bëri të ditur se hetimi mbi zhdukjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi është duke u zhvilluar në të gjitha dimensionet e saj në përputhje me dispozitat e së drejtës, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në një deklaratë me shkrim të kryeprokurorit Irfan Fidan, thuhet se për shkak se bëhet fjalë për ngjarje në një përfaqësi diplomatike, është dashur që përmes Ministrisë së Jashtme të kërkohet leje për kryerjen e hetimeve.

Prokuroria nisi procedurat e nevojshme ligjore pasi leja u dha nga autoritetet relevante saudite më 15 tetor për kryerjen e hetimeve në ndërtesën e Konsullatës së Arabisë Saudite dhe rezidencën e konsullit.

“Inspektimi dhe procedurat e tjera ligjore relevante janë duke vazhduar. Hetimi është duke u kryer me kujdes dhe me të gjitha dimensionet e saj, në përputhje me dispozitat e së drejtës, traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

“Gjatë procesit hetimor, opinioni publik do të informohet nga Kryeprokuroria Publike kur të jetë e nevojshme”, njoftohet më tej.

Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, Jamal Khashoggi, i cili ka dhënë kontribute edhe për “Al Watan”, një platformë e rëndësishme për reformistët sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll, ndërsa ka shqetësime se ai mund të jetë vrarë brenda saj.

Të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur Khashoggi ishte ende brenda, sipas burimeve të policisë turke. Të gjithë individët e identifikuar kanë lëshuar Turqinë.

Për hetimin e rastit është formuar një ekip ekspertësh me propozim të Arabisë Saudite i përbërë nga zyrtarë sauditë dhe turq, i cili filloi punën të hënën me një hetim disa orësh në ndërtesën e konsullatës.

Grupi i përbashkët hetues sot në orët e hershme përfundoi edhe hetimin e nisur dje në rezidencën e konsullit gjeneral Mohammad al-Otaibi, i cili është larguar nga Turqia.

Burimi: AA

OPINIONE