Bota

Kontradiktat e Arabisë Saudite në rastin Khashoggi

Qeveria e Arabisë Saudite ka dështuar të ofrojë fakte të kënaqshme në lidhje me zhdukjen e gazetarit Jamal Khashoggi, ndërsa në të njëjtën kohë ka shkaktuar huti me qëndrimet e saj kontradiktore.

Gazetari saudit Jamal Khashoggi u zhduk më 2 tetor pas hyrjes në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ndërkohë që ende nuk dihet fati i tij.

Konsullata Saudite në Stamboll kishte deklaruar se “Khashoggi ka dalë nga konsullata dhe janë në kontakt me zyrtarët turq për zbardhjen e të vërtetave”. Paralelisht me këtë, Riadi zyrtar, i akuzuar për vrasjen e Khashoggit, nuk ka ofruar asnjë provë që do të dëshmonte daljen e tij nga konsullata. Po ashtu, zyrtarët sauditë u përpoqën ta vononin hetimin në lidhje me rastin.

– Mungesa e xhirimeve të kamerave

Prokuroria Publike e Stambollit më 2 tetor nisi një hetim në lidhje me pretendimet se Khashoggi është ndaluar në konsullatë, ku kishte arritur në orën 13:00 sipas kohës lokale.

Pretendimet për vrasjen e gazetarit, i cili banonte në SHBA, u përhapën në masë të madhe në mediume më 7 tetor. Konsullata Saudite, e cila pretendoi se Khashoggi ka dalë i gjallë, nuk dha asnjë dëshmi për këtë, madje as xhirime të kamerave.

Ata pohuan se “kamerat kanë qenë të prishura në atë kohë”, gjë që rriti dyshimet se Khashoggi mund të jetë vrarë në ndërtesën e konsullatës. Ndërkaq, videoja e hyrjes së tij në konsullatë u shfaq dy ditë më pas.

– 15 persona të dyshuar arritën në konsullatë në orët e njëjtë me Khashoggin

Të njëjtën ditë, 15 sauditë, duke përfshirë disa zyrtarë, arritën në Stamboll me dy avionë dhe vizituan konsullatën në kohën kur Khashoggi ishte ende brenda, treguan zyrtarë të policisë turke. Kjo vizitë shkaktoi shumë pyetje.

Qeveria e Arabisë Saudite pretendon se këta persona kanë qenë vetëm “turistë”, por informacionet e shfaqura më pas treguan se rasti nuk është ashtu siç pretendohet.

Në mesin e këtyre personave, të cilët u larguan nga Turqia pas vetëm 25 orëve, gjendet një diplomat i angazhuar për mbrojtjen e princit të kurorës të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, një ushtarak i lartë i Gardës Mbretërore, një toger i forcave ajrore, si dhe eksperti i autopsisë dhe kryetari i Këshillit të Mjekësisë Ligjore të Arabisë Saudite, Dr. Salah al Tubaigy.

Nga ana tjetër, në lajmet e mediumeve amerikane të bazuara në të dhëna të siguruara nga inteligjenca e SHBA-ve, u tha se përgjimet kanë perceptuar që urdhri për rrëmbimin e Khashoggit ka ardhur drejtpërdrejtë nga princi ambicioz Mohammad bin Salman.

– Arabia Saudite vonoi bashkëpunimin e propozuar

Më 11 tetor, zëdhënësi presidencial i Turqisë, Ibrahim Kalın, njoftoi vendimin për forimimin e një grupi të përbashkët hetimor për zbardhjen e rastit, me propozim të Arabisë Saudite.

Në një deklaratë të publikuar ditën e nesërme, Arabia Saudite tha se, “Ndihemi të lumtur që Presidenca e Turqisë vëllazërore pranoi pozitivisht propozimin e Arabisë Saudite për formimin e grupit të përbashkët që do të përbëhet nga ekspertë të të dy vendeve për zbardhjen e rastit Khashoggi”.

Megjithatë, bashkëpunimi nuk arriti përparim për shkak të qasjes së ngadalshme të Arabisë Saudite.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, akuzoi Arabinë Saudite për mosbashkëpunim.

“Ku është zhdukur ai? Këtu në konsullatë. Ne ende nuk kemi hasur bashkëpunim për mbarëvajtjen e këtij hetimi dhe zbardhjen e çdo gjëje. Ne duam të shohim (bashkëpunim)”, ishte shprehur shefi i diplomacisë turke, Çavuşoğlu.

– Konsulli u largua nga Turqia në kohën kur do të hetohej rezidenca

Katër ditë pas rastit, princi Mohammad bin Selman, i cili së fundmi është përfolur për shumë veprime kontroverse, në një intervistë për televizionin Bloomberg u shpreh se “konsullata llogaritet territor i tyre sipas të drejtës ndërkombëtare, por mund të japin leje që Turqia të kryejë hetim aty ashtu siç ajo dëshiron”.

Përkundër këtyre deklaratave të princit, i cili tha se nuk kanë “asgjë për të fshehur”, ekipet turke arritën të hyjnë në konsullatë ditë më pas.

Më 16 tetor, ekipet e ekspertëve të grupit të përbashkët të punës përfuduan një hetim nëntë orësh në dhomën e pretenduar të konsullit gjeneral.

Burimet e Ministrisë së Jashtme të Turqisë më pas njoftuan se hetim do të kryhet edhe në rezidencën e konsullit saudit. Pak kohë pas këtij lajmi, konsulli Mohammad al-Otaibi u largua nga Turqia.

Otaibi nuk dha asnjë deklaratë se pse u largua nga Turqia pak para kërkimeve dhe hetimeve që do të bëheshin në rezidencën e tij.

– “Me sa e di unë, ai doli disa minuta më pas”

Nga ana tjetër, princi bin Salman, në intervistën për Bloomberg ishte shprehur: “Me sa e di, (Khashoggi) kishte dalë disa minuta, e mbase edhe një orë, pas hyrjes brenda”.

Ndërkaq, vëllai i Mohammad bin Salman, njëherësh ambasador i Arabisë Saudite në Washington, në një deklaratë për gazetën Washington Post i hodhi poshtë pretendimet për rrëmbimin apo vrasjen e Khashoggit, duke thënë se “është e pamundur që zyrtarët e konsullatës të kryejnë një krim jashtë njohurive tona dhe më pas ta mbulojnë atë”.

Mediumet ndërkombëtare i cilësuan si gënjeshtra pretendimet e qeverisë saudite.

Washington Post publikoi një lajm në të cilin thuhej se qeveria turke ka audio dhe video regjistrime që dëshmojnë vrasjen e Khashoggit brenda Konsullatës së Arabisë Saudite.

Po ashtu, edhe CNN pohoi se Turqia ka regjistrime “tronditëse” që tregojnë se gazetari saudit është vrarë.

– A po përgatitet qeveria saudite t’i pranojë akuzat?

Në fundjavë, media amerikane pretendoi se Arabia Saudite është duke u përgatitur të pranojë se Khashoggi “është vrarë jashtë zinxhirit të komandës gjatë marrjes në pyetje që ka dalë nga kontrolli”.

Donald Trump, cili zhvilloi bisedë telefonike me mbretin Salman bin Abdulaziz, theksoi se mbreti i ka “hedhur poshtë në mënyrë kategorike” pretendimet se ai ka dijeni në lidhje me fatin e gazetarit.

“Mua më duket e mundur që kjo mund të ketë qenë vrasje e kryer jashtë zinxhirit të komandës”, është shprehur Trump.

Burimi: AA

OPINIONE