Hezbollahu në Liban njoftoi se ka goditur selinë e agjencisë izraelite të inteligjencës “Mossad” në Tel Aviv me një raketë balistike ndërsa Izraeli tha se raketa ishte bllokuar.
Në deklaratën e Hezbollahut në Telegram thuhet se selia e Mossad-it në periferi të Tel Avivit është shënjestruar sot në orën 06:30 të mëngjesit me raketën balistike të tipit “Kadir 1”. Në deklaratë thuhet se selia e shënjestruar e Mossad-it “ishte përgjegjëse për vrasjen e figurave të larta të Hezbollahut kohët e fundit dhe shpërthimin e pajisjeve të komunikimit në të gjithë Libanin”.
Hezbollahu tha se ky sulm është kryer “për të mbështetur rezistencën në Rripin e Gazës dhe për të mbrojtur Libanin dhe popullin e tij”. Izraeli, i cili ka rreth një vit që vazhdon sulmet në Rripin e Gazës, po i shton çdo ditë një hallkë të re zinxhirit të atentateve kundër komandantëve të lartë të Hezbollahut, i cili vazhdon përleshjet e kontrolluara në vijën kufitare Liban-Izrael.
Në sulmet e Izraelit u vranë Fuad Shukr i cili është “këshilltari i lartë i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i ngarkuar me çështjet ushtarake” dhe i përshkruar si “krahu e djathtë” i tij, Ibrahim Akil, një nga komandantët e Forcës Ridvan, i cili thuhet se është numri dy i krahut ushtarak të Hezbollahut, dhe Ibrahim Mohammed Kubeysi, “kreu i sistemeve raketore të Hezbollahut”.
Paralajmërimi nga Izraeli: Mos u ktheni në shtëpitë tuaja
Ushtria izraelite paralajmëroi ata që emigruan nga jugu i Libanit, ku prej dy ditësh i ishte nënshtruar sulmeve ajrore intensive, “të mos kthehen në shtëpitë e veta”. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha: “Sulmet e ushtrisë izraelite vazhdojnë. Për sigurinë tuaj, mos u ktheni në shtëpitë tuaja deri në një njoftim të dytë”.
Izraeli vrau 558 njerëz në Liban
Ushtria izraelite ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Bekaa dhe Baalbek, që nga orët e mëngjesit të 23 shtatorit.
Ministria libaneze e Shëndetësisë njoftoi se në sulmet e Izraelit janë vrarë 558 persona, përfshirë 50 fëmijë dhe 95 gra ndërsa 1.835 të tjerë u plagosën. Vala e migrimit vazhdon nga rajonet jugore të vendit drejt kryeqytetit Bejrut dhe veriut./AA
















