Historia Opinion Shqiperia

Histori e skalitur në gurë

Një kontribut i ri albanologjik për trashëgiminë tonë kulturore

Vargut të kontributeve të çmueshme të albanologëve të huaj për historinë dhe kulturën shqiptare i shtohet edhe ky punim i Prof. Mehmet Tutuncu, me titull Corpus of Ottoman Inscriptions from Albania and Montenegro, SOTA/ Research Centre for Turkish and ArabicWorld, Haarlem, Hollandë, 2017. Ky studim i detajuar dhe i pasur në mbishkrime përmbush një boshllëk të konsiderueshëm për studimet albanologjike. Që në hyrje autori është i ndërgjegjshëm për peshën e kontributit që sjell për trashëgiminë tonë kulturore dhe historike kur thekson se botimi i librit vjen në pesëdhjetë vjetorin e shkatërrimit të trashëgimisë osmane dhe shpalljen e Shqipërisë si vendi i vetëm ateist në botë.

Monografia përmban 114 mbishkrime mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në osmanisht. Në këtë këndvështrim këto mbishkrime mund të quhen me plot gojë si mbishkrime shqiptare-osmane të skalitura kryesisht në gurë në trojet shqiptare dhe nga mbishkrues shqiptarë. Një pjesë e vogël janë mbishkrime në drurë dhe një pjesë më e vogël akoma janë grafite. Kronologjikisht këto mbishkrime mbulojnë një periudhë kohore prej 465 vitesh ndërmjet viteve 1447 dhe 1912. Nga ana tjetër mbishkrimet në gurë për nga tipologjia ndahen në dy kategori: Në mbishkrime që dëshmojnë ndërtime apo rikonstruktime të veprave të ndryshme arkitektonike dhe në mbishkrime në gurë varri. Gjuha e mbishkrimeve është kryesisht osmanisht dhe ndonjë edhe arabisht. Jo të gjitha mbishkrimet e paraqitura i kanë rezistuar shkatërrimeve ideologjike apo gjurmëve të kohës.

Në mesin e këtyre mbishkrimeve ashtu siç e pohon edhe autori ato të cilat shënojnë ndërtimin apo rikonstruksionin e veprave arkitektonike janë më të rëndësishmet. Janë burime historike të rëndësisë më të madhe dhe të dorës së parë. Të tilla mbishkrime nganjëherë janë të vetmet gjurmë që kanë mbetur nga veprat arkitektonike të shkatërruara. Gjashtë nga këto mbishkrime janë të porositura nga vetë perandorët osmanë, siç janë mbishkrimet mbi ndërtimin e kalasë së Elbasanit të perandorit Mehmeti II, për rindërtimin e kalasë së Lezhës nga perandori Sulejmani I, dhe po nga ky perandor për ndërtimin e një xhamie në Vlorë si edhe për rindërtimin e kalasë së Kaninës. Pesëdhjetë e dy janë mbishkrime në gurë varri. Mënyra e paraqitjes, transkriptimit, përkthimit dhe e analizimit i nënshtrohet praktikës më të mirë shkencore dhe përbën një kontribut të vyeshëm.

Mbishkrimi më i vjetër është njëkohësisht edhe një nga më të rëndësishmit dhe më domethënësit për trashëgiminë tonë kulturore dhe për shkencën tonë historiografike. Bëhet fjalë për një mbishkrim të vitit 1447-1448 i cili skalit në kujtesën tonë ndërtimin e një vepre bamirësie të dorës së parë, që është një çezme monumentale. Jo vetëm lloji i ndërtimit për të cilin dëshmon mbishkrimi në gur është i një rëndësie të veçantë, për faktin se është një vepër që akoma edhe sot 6 shekuj mbas ndërtimit vazhdon të freskojë dhe të shuajë etjen e vizitorëve dhe të banorëve të Krujës, por edhe vendi dhe koha kur është ndërtuar kjo vepër janë dëshmi historike të dorës së parë. Vepra është ndërtuar me porosi të gjeneralit të njohur osman të Evrenozëve të Shkupit, i cili siç dëshmohet edhe nga dokumentet historike vjen në ndihmë të Skënderbeut pikërisht në vitin 1448. Duhet kujtuar se Skënderbeu në këtë kohë ishte në luftë të hapur me Venedikun për çështjen e Danjës dhe pikërisht në këtë kohë Venediku shpall shpërblimin për këdo që do vriste Skënderbeun. Ky mbishkrim, së bashku me dokumente të tjera, veçanërisht traktati i nënshkruar me Alfonsin e V të Napolit më 1454 tregojnë se Skënderbeu kishte si prioritet të tijin fatin e territoreve të veta dhe të popullsisë së vet. Jo luftën e pafryt, por shfrytëzimin e ekuilibrave politikë dhe rivalitetit mes fuqive kryesore të interesuara në këtë periudhë në Ballkanin Perëndimor: Venedikut, Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë Aragoneze. Shqetësimi për fatet e zotërimeve të veta e sollën në konflikt të papajtueshëm me venedikasit, në përplasje me komandantë të ndryshëm shqiptarë dhe osmanë, dhe në një bashkëpunim pa fryte me aragonezët.

Një tjetër mbishkrim dëshmitar i një epoke është edhe mbishkrimi i porositur me urdhër të perandorit Mehmeti II me rastin e ndërtimit të kalasë së Elbasanit më 1466. Mbishkrimi është mjaft i gjatë dhe i detajuar dhe mes tjerash thekson se “kjo kështjellë e bukur, e emërtuar Elbasan, është urdhëruar të ndërtohet nga perandori i kohës së tij, perandori që shpërndan paqe e siguri…” pra Mehmeti II. E veçanta e kësaj kështjelle është se ndërtimi i saj shënon fundin e një epoke trazirash e pasigurish. Që nga periudha romake, pra për rreth njëmijë vjet, asnjë qytet shqiptar nuk ishte themeluar në terren fushor. Që nga shekulli VI, me fillimin e dyndjeve të popujve sllavë e të tjerë, edhe qytetet fushore të lulëzuara gjatë periudhës ilire e romake u braktisën dhe u kthyen në gërmadha. Në vend të tyre u zhvilluan një numër qytetesh fortesa, në pika të larta, e në brendësi të maleve, duke e braktisur pjellorinë e begatinë e ultësirës shqiptare, për sigurinë dhe mbijetesën në majë e në mes të maleve.

Qyteti i parë i themeluar nga osmanët në trojet shqiptare e bënë të qartë edhe situatën e re të krijuar me përfshirjen e trojeve shqiptare në një shtet të pamatë në hapësira dhe me kufij të jashtëm të mbrojtur nga një perandori dhe jo thjesht një bashkësi lokale. Elbasani është qyteti i parë që nga periudha romake, që ndërtohet jo në majë të kodrave e maleve të paarritshme me funksion parësor strategjik e ushtarak, por në reliev fushor në mes të fushës së Shkumbinit, në një pozicion vërtet kyç, por më shumë ndërlidhës e tregtar se sa mbrojtës e ushtarak. Kështjella madhështore është ndërtuar për 25 ditë, me 26 kulla, tetë prej të cilave ekzistojnë edhe sot dhe me tri porta hyrëse. Tashmë me ripërtëritjen e regjimit perandorak do të shënohet një fenomen i ri urbanistik që pasqyron pikërisht faktin se gjatë kësaj periudhe të “paqes osmane” do të rikthehen qendrat urbane në lartësi të ulëta, në përgjithësi të pa-fortifikuara dhe që i japin rëndësi parësore pozicionimit në udhëkryqet e rrugëve tregtare më shumë se sa karakterit mbrojtës të terrenit.

Pra kemi të bëjmë me një humanizim të përshpejtuar të territorit dhe rikthim të qëndrueshëm të popullsisë në shfrytëzimin e relieveve pjellore të ulëta të cilat për një mijë vjet kishin mbetur të pashfrytëzuara ose ishin shfrytëzuar jo intensivisht për shkak të pasigurisë. Qyteti shqiptar që në shekullin XVI hyn në një fazë të përshpejtuar zhvillimi në krahasim me mesjetën. Dekadencae disa qyteteve me karakter fortifikues, u kompensua shumë shpejt me lindjen e qyteteve të reja me funksion tregtar ndërkrahinor, si edhe me zhvillimin e qyteteve të mëparshme e si pasojë edhe zgjerimin e tyre dhe fillimin e një procesi të vrullshëm urbanizimi në krejt territoret ballkanike dhe sidomos në territoret shqiptare. Organizimi hapësinor dhe vendosja e qyteteve shqiptare tashmë kishte një logjikë të qartë tregtare dhe ndërlidhëse, ashtu si edhe balancuese mes qytetit si treg krahinor e ndërkrahinor dhe hinterlandit agrar që këto qytete u shërbenin si tregje.

Në shekullin e XV, trojet shqiptare ishin të parcelizuara, të ndara dhe të palidhura në mënyrë organike ndërmjet tyre përmes tregjeve që të bënin të mundur lëvizjen e njerëzve dhe ideve dhe shkëmbimin e mallrave ndërmjet zonave dhe krahinave të ndryshme. Shpenzimet e mëdha në fortifikimin e kodrave strategjike, vetëm disa kilometra larg njëra-tjetrës siç ndodhte me pellgun e Shkodrës ishin një barrë e madhe financiare për vetë këto qytete doganore. Një nga autorët e historisë urbane gjemane në mesjetë mendon se një nga arsyet e rëndësishme të prapambetjes së territoreve gjermanike në mesjetë ishte se shpenzonin shumë në fortifikime dhe mbrojtje. Ekzistonte një ç’ekulibrim i qartë dhe një moskomunikim dhe izolim i thellë i krahinave të ndryshme nga njëra-tjetra. Vetëm pellgu i Shkodrës, për shembull, kishte një numër aq të madh qytetesh të vogla, sa ç’kishin të krahina të tëra shqiptare të marra së bashku. Nga njëra anë kemi fushën e Shkodrës të tejmbushur me qytete të vogla, si Shkodra, Drishti, Danja, Shasi, Suaci, Ulqini, Baleci, të cilat ndodheshin në një largësi mesatare mes tyre që nuk i kalonte 10 kilometrat. Nga ana tjetër, kishim krahina të tëra shumëfish më të mëdha që nuk kishin asnjë qendër urbane, asnjë treg për shkëmbimin e mallrave dhe për pikëtakimin e njerëzve dhe ideve.

Krejt lugina e Shkumbinit, shtylla kurrizore e trojeve shqiptare në mesjetë ishte e pa-urbanizuar në mënyrë të plotë. Jo më kot qyteti i parë që osmanët themeluan në trojet shqiptare ishte Elbasani, në mesin e pellgut ujëmbledhës e njerëz bashkues të Shkumbinit. Berati dhe Gjirokastra, pikat kyçe të dy luginave e krahinave të rëndësishme shqiptare, asaj të Osumit dhe të Drinosit, edhe pse ekzistonin si fortesa në mesjetë, gjatë periudhës osmane, funksionit të tyre ushtarak e kishtar të mëparshëm iu shtua dimensioni qytetar, u rithemeluan si qendra të mirëfillta urbane, si tregje ndërkrahinore e si pika të përbashkimit njerëzor. Sot janë krenaria e jonë e vetme e njohur botërisht si vlerë kulturore e përbotshme nga UNESCO.

Në fakt të gjitha qytetet që osmanët themelojnë apo i zhvillojnë janë qytete me karakter të qartë e të pastër ekonomik dhe aspak strategjik e mbrojtës. Të tillë janë Bashtova, Tirana, Gjakova, Prishtina, Delvina, Korça, etj. Disa prej tyre madje nuk patën asnjëherë fortifikim mbrojtës, një risi kjo e kësaj periudhe që evidentohet në krejt Ballkanin osman. Perandoria Osmane ishte një shtet gjigant që shtrihej nga Deti i Zi e deri në Algjeri, e nga Hungaria e deri në Jemen e Sudan. Njëlloj siç ishte edhe Spanja me zotërimet e saja koloniale në Amerikë dhe Anglia e Portugalia. Braudel e mbështet mendimin e Leopold von Ranke-s, i cili që në shekullin e XIX, krijimin e perandorive në Mesdhe, të asaj Osmane në lindje, dhe asaj Habsburge në perëndim, e kishte parë si një krijim të dyfishtë, dhe historinë e lindjes së tyre si të njëjtën histori, ose ndryshe si një histori madhështore të njëkohshme. Braudel shton “unë nuk besoj se Sulejman Madhështori apo Karli V kanë qenë rastësi. Personazhet e tyre, padyshim që kanë qenë, por jo Perandoritë e tyre.”

Një mbishkrim tjetër po aq me rëndësi është ai i kalasë së Lezhës i porositur nga perandori Sulejmani I e vitit 1522. Rëndësia e këtij mbishkrimi në fakt nuk qëndron tek rindërtimi i kështjellës së Lezhës mbasi kjo kështjellë e lashtë është ndërtuar e rindërtuar disa herë në historinë e saj, por se për herë të parë kemi emrin e një shqiptari si mbikëqyrës, drejtues punimesh apo si arkitekt. Ky mbishkrim dëshmon qartë një proçes tjetër shumë të rëndësishëm që zë fill në periudhën e rikthimit të regjimit perandorak në Shqipëri, pra për pjesmarrjen e rëndësishme, thelbësore dhe parësore të popullsisë lokale shqiptare jo vetëm në administrimin e perandorisë në Stamboll e përtej, por pikësëpari në vetë territoret shqiptare.

Një të dhënë tjetër të rëndësishme që na sjellin këto mbishkrime është fakti se edhe shqiptarët që bënë sukses në hapësirat e pamata të perandorisë dhe në kryeqytetin perandorak mbetën shqiptarë dhe të lidhur me vendlindjen e tyre deri në fund. Këtë e dëshmojnë veprat arkitektonike dhe të bamirësisë që kryeministrat shqiptarë të perandorisë kanë lënë në trojet shqiptare, dhe që fatkeqësisht shumica janë shkatërruar. Është për t’u theksuar se këta shqiptarë që kishin mbërritur majat më të larta të pushtetit në Ballkan, nuk jetonin të izoluar nga mjedisi shqiptar prej nga vinin, por përkundrazi, në një kontakt të vazhdueshëm e të pandarë me njerëzit e vendin e tyre. Madje është dëshmuar se këtyre shqiptarëve që kishin marrë në dorë drejtimin e perandorisë,as madhështia e jetës së tyre në kryeqytetin e zhurmshëm të perandorisë as atmosfera e ndryshme e jetës aty, nuk ua dobësonte lidhjen me vendlindjen.

Në mesin e shumë rasteve të tilla që dëshmojnë këtë është edhe rasti i një drogmani, që mund të përshkruhej më saktë si një bashkim i një përkthyesi, një diplomati dhe një informatori, me origjinë shqiptare, i mirëstudiuar nga Noel Malcom, Bartolomeu Bruti, i cili për shkak të intrigave të një rivali të tij në Kosntantinopojë, Giovanni Marigliano, u burgos në korrik 1579. Ndëshkimi i tij pritej të ishte varja ose të dërgohej në galera si remëtar, por ndërhyrja dashamirëse e shqiptarit Sinan Pasha, kryeministrit të pesëfishtë të perandorisë e shpëton. Jo vetëm kaq, por Bruti, i sigurt për mbështetjen e mëtejshme të bashkatdhetarit të tij, ofrohet si ndërmjetës tek Sinan Pasha për çështje të ndryshme. Në Vlorë në kështjellën e Kaninës ndodhej edhe xhamia e këtij paraardhësit të Vlorajve të Ismail Qemalit, e cila është shkatërruar. Të njëjtin fat shkatërrimi pati edhe xhamia e ndërtuar nga Gazi Sinan Pasha në Elbasan.

Një rast tjetër i ngjashëmështë mbishkrimi mbi ndërtimin e një çezmeje për bamirësi nga kryeminsitri Iljas Pasha në vendlindjen e tij në Vlorë në vitin 1528/29. Fatkeqësia e shkatërrimit ideologjik ka rënë edhe mbi këtë dëshmi të dorës së parë, mbasi mbishkrimi sot është shkatërruar dhe është regjistruar përpara shkatërrimit. Tjetër mbishkrim i rëndësishëm po ashtu i shkatërruar është ai i një vepre bamirësie të bërë në qytetin e Beratit nga Kasem Aga, arkitekti perandorak, ose kryearkitekti i perandorisë që ishte nga qyteti i Beratit. Dy çezmet e ndërtuara nga ai në fshatin e tij të lindjes janë shkatërruar po ashtu. E njëjta vlen edhe për xhaminë e Abdi Pashës nga Peqini i cili ndërtoi një xhami në vendlindjen e tij. Ai ishte drejtues i Jeniçerëve në 1669, qeveritar i Bagdadit dhe Egjiptit dhe guvernatori i fundit osman i Budapestit ku edhe vdiq në vitin 1687.

Të gjitha këto dëshmojnë jo vetëm përvetësimin gjithnjë e më të madh të pushtetit lokal në Shqipëri nga vetë shqiptarët, por edhe për ndihmesën që ky proçes afirmimi politik dhe fuqizimi ekonomik i faktorit shqiptar gjen në elitën shqiptare në zemrën dhe në skajet e perandorisë. Dëshmon për lidhjet e pashkëputura që elitat shqiptare perandorake mbanin me vendlindjen, për atdhedashurinë që nuk zbehet aspak nga shkëlqimi i suksesit perandorak. Nuk duhet harruar se ishin ata shqiptarë që me aftësitë e tyre, me atdhedashurinë e tyre të madhe na lanë trashëgim këtë shqiptari. Të gjitha këto dëshmi na përcjellin nga thellësia e kohës pamjen e një areali, ku jo vetëm elementi etnik turk është inekzistent, por edhe politikisht duke filluar që nga shekulli XVI e duke iu afruar gjithnjë e më shumë shekullit të pashallëqeve autonome shqiptare, shekullit XVIII, rëndësia e pranisë së elementit turk-osman shkon duke u venitur edhe politikisht.

Në përfundim ajo që është me të vërtetë e rëndësishme për t’u theksuar është se, edhe pse nga njëra anë ka shumë mbishkrime osmane në krejt Shqipërinë,nga ana tjetër ka fare pak toponime osmane në trojet shqiptare. E kundërta ndodh me sunduesit e tjerë të cilët lënë pak ose aspak mbishkrime por jashtëzakonisht shumë toponime. Përfundimi që mund të nxirret nga kjo është se në fakt gjatë periudhës osmane shqiptarët shkojnë duke e monopolizuar gjithnjë e më shumë pushtetin lokal mbi trojet e tyre, dhe se osmanët nuk kishin pushtet për të sjellë kolonistë të huaj në trojet shqiptare, apo për të dhënë tokat e shqiptarëve tjetërkujt përveç pronarëve e zotërve lokalë shqiptarë.

Dr. ARDIAN MUHAJ

OPINIONE