Historianët: Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit u mbajt në xhaminë “Bajrakli”

Për më shumë vjet në librat e historisë së plan programeve shkollore është botuar çdo herë fotografia e një ndërtese të vogël përfundi së cilës është venë mbishkrimi “Ndërtesa ku  u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit”. Ky interpretim historik është ngulitur në vetëdijen e nxënësve dhe qytetarëve të thjeshtë.

Tash pas shumë vjetësh del që ky ishte një falsifikim historik. Historianët Skënder Rizaj, Fehmi Rexhepi, Parim Kosova thonë se Kuvendi i Lidhjes u mbajt në xhaminë “Bajrakli”. Edhe Enver Baftiu nga instituti i monumenteve të Kulturës në Prizren thotë se është absurde të besohet që në një ndërtesë të vogël 48 metra katrore, sa i ka “Shtëpia e Lidhjes” të jenë mbledhur mbi 200 burra.

h

Për shumë vjet pjesën e lashtë të Prizrenit e vizitojnë nxënës të shkollave nga të gjitha anët e Kosovës. Vijnë të organizuar për të përjetuar “live” lashtësinë e kulturës së tyre dhe sidomos për ta parë Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ne këtë “Meke” të kombësisë shqiptare ata përqendrohen tek shtëpia e vogël e Lidhjes. Në librat e historisë e kanë parë fotografinë e kësaj ndërtese, poshtë se cilës e kanë lexuar edhe mbishkrimin: “Këtu u mbajt kuvendi i Lidhjes…”

”Por, pas shume vitesh ngrihet një pikëpyetje e madhe për interpretimin zyrtar të këtij detaji të ngjarjes kulminante të historisë shqiptare. Historianë e publicistë tash pohojnë njëzëri” “Këtu nuk u mbajt kuvendi i Lidhjes…”. Ata thonë se Kuvendi i burrave u mbajt në xhaminë ”Bajrakli”, që ndodhet gjithashtu në Kompleksin e Lidhjes. Përgjegjësi i këtij kompleksi, Parim Kosova, thotë se “shtëpia e vogël e Lidhjes” ishte mësonjëtore, e cila në vitin 1881 u përshtat të shërbeji rezidence qeveritare e Lidhjes Shqiptare. “Kuvendi u mbajt ne xhami. Medreseja e kompleksit më vonë u bë seli e atyre që mund të quhen ministri të Lidhjes”, tha Parim Kosova, në një emision televiziv.

E nisur që në filet e historiografisë shqiptare, heshtja e rolit të xhamisë në interpretimin zyrtar historik ndodh edhe në ditët e sotme. Në gusht të vitit 2005, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka publikuar tekstin zyrtar të historisë për klasën VIII, autorë të cilës janë Izber Hoti dhe Jetullah Krasniqi. Në këtë libër është botuar fotografia e “shtëpisë së vogël të Lidhjes…” bashkë me mbishkrimin “Objekti ku u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit” Edhe në librin zyrtar të historisë të botuar nga Shtëpia  Botuese “Libri Shkollor”, e njëjta fotografi është publikuar me  mbishkrimin .”Ndërtesa e Lidhjes se Prizrenit”. Njeri prej autorëve të këtij libri, Fehmi Rexhepi, thotë se është e vërtetë që në sistemin arsimor në njëfarë mënyre është heshtur detaji i mbajtjes së kuvendit në xhami, “Kjo ndoshta është bërë pasi në sistemin komunist janë injoruar fetë. Mënyra e tillë e të publikuarit të fotografive, që në sy të parë duket si pasaktësi teknike, ka bërë që të fshihet fakti që Kuvendi i Lidhjes është mbajtur në xhami”. tha Rexhepi. Sipas tij , për të qenë profesionalisht korrekt, në botimet e ardhshme është e nevojshme të bëhet përmirësimi i  këtij gabimi.

Pranimi i faktit që Lidhja u mbajt në xhami nuk e zbeh imazhin e ngjarjes si kulmi i vetëdijesimit kombëtar të shqiptarëve.

Shkrimtari Milazim Krasniqi thotë se fshehja e këtij fakti historik është një shembull tipik i përbuzjes së identitetit islam dhe traditave osmane të shqiptarëve nga strukturat komuniste, një fryme që mbetet ende “Sipas logjikes së këtyre pseudo-historianeve, nëse pranon se Kuvendi i Lidhjes u mbajt në xhami, atëherë humbet  karakteri i pastër patriotik i ngjarjes . D.m.th gjithçka që është fetare, apo islame, nuk është kombëtare dhe duhet te hidhet”, thotë Krasniqi. Sipas tij, ta pranosh faktin se Kuvendi u mbajt në xhami nuk do të thotë se kjo ngjarje cilësohet si islamiste, as nuk i zbehet imazhi i ngjarjes si kulmi i vetëdijesimit kombëtar të shqiptarëve.

Skender Rizaj e mbron tezën që “Lidhja….” është mbajtur më 17 qershor e jo me 10 qershor.

Historiani Skënder Rizaj, i cili e ka përpiluar enciklopedinë me voluminoze për Lidhjen e Prizrenit, thotë se për këtë ngjarje janë bërë falsifikime të mëdha historike. Ai e mbron tezën se Lidhja ka filluar me 17 qershor 1878 dhe ka zgjatur një muaj. “Delegatët nga të gjitha viset shqiptare mblidheshin përditë për t’iu përgjigjur vendimeve që merreshin gjatë punimeve të Kongresit të Berlinit”, tha Rizaj.

Gjithashtu ai konfirmon variantin se Kuvendi është mbajtur ne xhaminë “Bajrakli”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne