Hoti për Serbinë: Nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare, do të vazhdojmë si dy shtete fqinje që nuk njihen

Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë si dy shtete fqinje që nuk e njohin njëra-tjetrën, në rast se nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare. Hoti u shpreh kështu gjatë një konference për mediat pas takimit në Prishtinë me komisionarin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Ai shtoi se është bërë përparim në dialog dhe se duhet gjetur forma për të tejkaluar temat e vështira për të arritur një marrëveshje përfundimtare.


“Kemi bërë progres nga korriku e këndej. Me rëndësi të thuhet se ekziston konsensusi i plotë shoqëror në Kosovë për procesin e dialogut dhe sigurisht se ka tema të vështira që duhet të gjejmë formën si t’i tejkalojmë për të arritur marrëveshjen përfundimtare”, tha Hoti.

Edhe zyrtari i lartë i BE-së, Varhelyi vlerësoi se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bërë përparim. Sipas tij, negociatat shihet se nuk janë të lehta, mirëpo duhet zhvilluar “momentumin që është krijuar”. “Lajçak ( i dërguar i BE-së për dialogun, Mirosllav) dhe partnerët amerikanë kanë interesim për këtë proces. Në kohën e fundit kemi marrëveshjen në Uashington dhe shumë elemente të së cilës mund t’i gjeni edhe në planin tonë të investimeve”, -tha Varhelyi./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne