HRW dhe Oxfam: SHBA-ja të pezullojë menjëherë transferimet e armëve Izraelit

SHBA-ja duhet të pezullojë menjëherë transferimin e armëve në Izrael, thanë të martën Human Rights Watch (HRW) dhe Oxfam, duke përmendur si arsye shkeljet e Izraelit ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar. Dy organizatat e spikatura i kanë paraqitur një raport qeverisë amerikane duke renditur një gamë të gjerë shkeljesh të Izraelit ndaj ligjit ndërkombëtar humanitar që nga 7 tetori i vitit të kaluar, duke përfshirë përdorimin e fosforit të bardhë, sulmet ndaj ambulancave dhe spitaleve dhe bllokimin sistematik të ndihmës, thanë ato në një deklaratë të përbashkët.

“Ka arsye të mira pse ligji amerikan ndalon mbështetjen e armëve për qeveritë që bllokojnë ndihmën për shpëtimin e jetëve ose shkelin ligjin ndërkombëtar me armët amerikane”, ka thënë Sarah Yager, drejtoresha e zyrës në Washington të Human Rights Watch. “Duke pasur parasysh armiqësitë e vazhdueshme në Gaza, garancitë e qeverisë izraelite për administratën Biden se po përmbush kërkesat ligjore të SHBA-së nuk janë të besueshme”, ka shtuar Yager.

“Ka kaluar kohë që administrata Biden t’i japë fund shitjes së armëve vdekjeprurëse Izraelit dhe ne i bëjmë thirrje që ta bëjnë këtë tani dhe të punojnë për t’i dhënë fund vdekjes dhe vuajtjeve në Gaza”, ka thënë nga ana tjetër Scott Paul, menaxher për paqen dhe sigurinë në Oxfam Amerika. Shembujt në raport përfshijnë përdorimin e fosforit të bardhë të furnizuar nga SHBA-ja në operacionet ushtarake në Liban dhe Gaza në tetor, sulme joproporcionale në ose pranë disa spitaleve të mëdha midis 7 tetorit dhe 7 nëntorit dhe një sulm ndaj një ambulance me mbishkrim që thuhet se vrau 15 persona dhe plagosi 60.

Grupet gjithashtu akuzuan Izraelin për bllokimin sistematik të ndihmës, duke përfshirë parandalimin e ndihmës së ofruar nga SHBA-ja për të arritur te rreth 300.000 palestinezë në Gazën veriore. Raporti përmendi gjithashtu bombardimin dhe shkatërrimin e konsiderueshëm të infrastrukturës ujore të Oxfam dhe organizatave partnere.

HRW dhe Oxfam thanë se “janë të bindur se shembujt që citojmë këtu pasqyrojnë një model më të gjerë sjelljeje sesa po vlerësohet aktualisht nga qeveria amerikane”. Raporti erdhi ndërsa SHBA-ja po përballet me një breshëri kritikash për ofrimin e ndihmës ushtarake për Izraelin, pavarësisht raportimeve për shënjestrimin e civilëve – me mbi 31.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, të vrarë në Gaza – dhe raporteve të besueshme për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ligjit amerikan, duke përfshirë bllokimin e ndihmës së ofruar nga SHBA-ja.

Gjatë dekadave, Izraeli ka qenë deri më tani përfituesi më i madh i ndihmës së huaj nga SHBA-ja. Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum që u kërkon vendeve që marrin armë nga SHBA-ja të japin garanci “të besueshme” me shkrim për Departamentin e Shtetit se ato janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne