Ministri i Jashtëm dhe i Tregëtisë së Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, tha se Bashkimi Evropian (BE) duhet të zgjidhë krizën e refugjatëve duke arritur marrëveshje sa më parë me Turqinë.
Në një konferencë për shtyp, Szijjarto tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, për çështjen e sigurisë së energjisë dhe atë të refugjatëve.
Përsa kohë që nuk nënshkruhet një marrëveshje e re mes BE-së dhe Turqisë, nuk mund të pritet që Turqia të ndalojë rrjedhën e refugjatëve drejt BE-së, theksoi Szijjarto, duke shtuar se “mes BE-së dhe Turqisë duhet të nënshkruhet një marrëveshje e re”.
Szijjarto tha se Turqia vetëm vitin e kaluar pengoi kalimin e 455 mijë refugjatëve.
“Nuk pritet ulja e presionit në kufirin Turqi-Greqi, për sa kohë që Brukseli nuk merr seriozisht kërkesën, dëshirën dhe shqetësimet e Turqisë. Kush e di edhe sa mund ta mbajnë grekët kufirin?” shtoi Szijjarto.
Më tej ai vuri në dukje se presioni i refugjatëve ndaj Turqisë është rritur dhe se 1,5 milionë refugjatë mund të nisen nga Siria drejt Turqisë.
– “Ka ardhur koha që Brukseli të negociojë në bazë të realitetit me Turqinë”
Szijjarto rikujtoi se BE-ja në kuadrin e marrëveshjes së arritur më parë i ka premtuar Turqisë gjashtë miliardë euro dhe shtoi se rreth pagesave flitet për shifra të ndryshme.
“Një gjë është e qartë, që nuk janë paguar gjashtë miliardë euro. Tashmë ka ardhur koha që Brukseli të negociojë në bazë të realitetit me Turqinë. Në vend që të përsërisin të drejtën e tyre, tashmë duhet ta zgjidhin këtë problem duke arritur marrëveshje me Turqinë duke u bazuar në situatën e vërtetë”, tha ministri hungarez Szijjarto./AA