“Hyni në zgjedhje pa PD”, opozita letër Mogherinit. Ç’i shkruan kundër zyrtarit të BE

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe përfaqësuesit kryesorë të koalicionit opozitar janë ankuar përmes një shkrese në Bashkimin Europian në lidhje me një zyrtar të BE-së në Tiranë.

Vendimi për këtë shkresë është marrë pas një takimi që Basha zhvilloi në selinë blu me aleatët e tij, Mediu, Ndoka, Duka e Dule, të cilët kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me ofertat që një zyrtar i BE-së ka bërë gjatë takimeve të zhvilluara në Tiranë. Shqetësimi i përfaqësuesve të koalicionit opozitar lidhet me shefin e divizionit për Ballkanin Perëndimor, Eduard Auer, i cili, sipas tyre, gjatë takimeve të zhvilluara me ta, u ka kërkuar që të ndalin bojkotin parlamentar dhe të bëhen pjesë e zgjedhjeve duke përfituar nga mungesa e PD-së në proces për të marrë më shumë mandate.

Shqetësimin në lidhje me këtë çështje, koalicioni opozitar ia ka shprehur edhe ministres së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini. Aleati i Bashës, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, nga çadra e demokratëve tregoi dje një pjesë të bisedës së zhvilluar me përfaqësuesit e BE-së. “Dëgjova një përfaqësues të BE të thotë ‘shumë mirë që PD nuk hyn në zgjedhje, sepse kështu partitë e tjera mund të fitojnë më shumë vende në Parlament’”, tha Mediu.

Kush është Eduard Auer, takimet në Tiranë më 6 prill

Eduard Auer mban detyrën e shefin të divizionit për Ballkanin Perëndimor në KE. Auer ka zhvilluar së fundmi një vizitë zyrtare në Tiranë, më datën 6 prill, ku edhe ka realizuar disa takime me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës.

Përfaqësuesi i BE-së mësohet se gjatë kësaj vizite ka takuar në një takim të veçantë kreun e PR-së, Fatmir Mediu, kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, kreun e PAA-së, Agron Duka, me të cilët ka diskutuar lidhur me krizën politike në vend dhe mundësitë e zgjidhjes.

Sipas burimeve, pikërisht në këtë takim, zyrtari i BE-së u ka kërkuar aleatëve të Bashës të bëhen pjesë e zgjedhjeve parlamentare, duke theksuar edhe përfitimet që partitë opozitare do të kishin sa u takon mandateve parlamentare në mungesë të Partisë Demokratike. Ish-kryeministri Berisha i kërkoi dje Komisionit Europian të largojë nga detyra Auer, për shkak të veprimit të turpshëm që ky i fundit ka realizuar në Tiranë, duke bërë diversione me partitë opozitare./panorama

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne