I dërguari i OKB-së kritikon planet e vendbanimeve të Izraelit

I dërguari i OKB-së në Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, shprehu sot shqetësimin e tij në lidhje me vendimin e Izraelit për të ndërtuar njësi të reja të vendbanimeve në Kudsin Lindor të okupuar.

“Jam shumë i shqetësuar nga vendimi i autoriteteve izraelite dje për të hapur procesin e tenderimit për ndërtimin e Givat Hamatos”, tha Mladenov në një deklaratë me shkrim.

Mladenov tha se planet e reja izraelite do të izolonin Kudsin nga qytetet palestineze në Bregun Perëndimor të okupuar.

“Kjo do të dëmtonte ndjeshëm perspektivat për një shtet të ardhshëm palestinez dhe për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete bazuar në linjat e vitit 1967”, tha ai.

I dërguari i KB-ve vazhdoi t’u bënte thirrje autoriteteve izraelite të kthejnë planet e tilla, duke theksuar se veprimtaria e vendbanimeve izraelite “është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar”.

Mediat izraelite të dielën zbuluan se Izraeli ka në plan të ndërtojë më tej 1.257 njësi të vendbanimeve në vendbanimin izraelit Givat Hamatos në Kudsin Lindor të okupuar.

Izraeli pushtoi territoret palestineze, përfshirë Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës në vitin 1967. Palestinezët i duan këto territore për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne