Ibrahim Kalin: Armëpushimi në Libi duhet të jetë i qëndrueshëm

Në një deklaratë për agjencinë franceze të lajmeve, “AFP”, Kalin tha se Turqia mbështet qëndrimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) në Libi, e cila argumenton se për një armëpushim të qëndrueshëm duhet që forcat e Haftarit të largohen nga qytetet Sirte dhe Al-Jufra.

Duke iu referuar marrëveshjes politike të arritur në vitin 2015 në Marok, zëdhënësi presidencial turk bëri të ditur se një armëpushim mund të arrihet nëse të gjithë në Libi rikthehen në pozicionet e vitit 2015.

“Qeveria e Pajtimit Kombëtar ka këtë mendim dhe ne këtë e mbështesim, sepse forcat e Haftarit i përdorin këto vende strategjike si platformë për sulme”, nënvizoi ai.

– “Franca rrezikon sigurinë e NATO-s”

Pasi vuri në pah se Franca rrezikon sigurinë e NATO-s duke mbështetur Haftarin, zëdhënësi Kalin vijoi me këto fjalë: “Ne mbështesim qeverinë legjitime në Libi. Ndërsa qeveria franceze mbështet baronin e një lufte ilegale dhe rrezikon sigurinë e NATO-s, të Mesdheut, Afrikës së Veriut dhe stabilitetin politik të Libisë.”

“Teksa këto janë të pranishme, ata (francezët) ende na fajësojnë dhe kritikojnë neve. Ne këtu po punojmë me emra legjitimë. Franca është ajo që ndërhyn në të gjitha këto rajone duke bashkëpunuar me emra të gabuar dhe që mbështet elemente të paligjshme dhe më pas kthehet dhe na akuzon neve”, shtoi zyrtari turk mes të tjerash.

– “GNA nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje ku përfshihet Haftari”

Duke kritikuar Haftarin, zëdhënësi Kalin tha se atij nuk i zihej besë që në fillim. “Ka prishur të gjitha marrëveshjet për armëpushim dhe të gjitha iniciativat për uljen e tensioneve. GNA-ja nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje, në të cilën është i përfshirë Haftari. Ky është rezultati që ne nxjerrim nga analiza e tyre dhe ne e mbështesim këtë”, saktësoi ai.

Gjithashtu Kalin akuzoi Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për “financim të luftës” dhe i quajti të “pakuptimta” përpjeket e EBA-së për të sulmuar Turqinë dhe Presidentin Recep Tayyip Erdogan, përtej rolit të saj në botën arabo-islame.

– “Do të qëndrojmë atje përsa kohë që dëshiron qeveria e Libisë”

Sa i përket Egjiptit, zëdhënësi presidencial turk tha se Ankaraja i kupton shqetësimet “legjitime” të Kajros për siguri në çështjen e kufirit Egjipt-Libi, por tërhoqi vëmendjen se mbështetja e Haftarit është një “politikë e gabuar”.

I pyetur për të ardhmen e Turqisë në Libi, Ibrahim Kalin u përgjigj me këto fjalë: “Do të qëndrojmë atje për sa kohë që dëshiron qeveria e Libisë.” /tr

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne