Ibrahim Kalin: Disa shtete veprojnë në kundërshtim me integritetin territorial të Sirisë

Ky vlerësim i zëdhënësit Kalin erdhi gjatë një prononcimi për kanalin “France 24”.

“Turqia në Siri ka mosmarrëveshje vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Francën. Sepse që të dyja përkrahin YPG/PKK-në, e cila është fraksioni sirian i organizatës terroriste PKK; ndërkohë që PKK-ja konsiderohet grup terrorist në Francë, në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Sipas tij, disa vende po bëjnë përpjekje për të formuar një korridor terrorist në Siri dhe kjo është në kundërshtim me integritetin territorial dhe idenë e unitetit politik të Sirisë.

Kalin shprehu bindjen se në tavolinën e negociatave kundër regjimit të Bashar al-Assadit duhet të ulen të gjithë komunitetet përbërëse të shoqërisë siriane, përfshi këtu arabët, kurdët, turkmenët, alavitët dhe të krishterët.

“Ju nuk mund të zgjidhni një grup të caktuar etnik apo ideologjik dhe t’u jepni atyre disa privilegje”, shtoi ai.

Mes të tjerash, zëdhënësi i Presidencës u ndal gjithashtu mbi marrëdhëniet Turqi-SHBA duke thënë se ndërmjet Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe Presidentit Donald Trump ekziston një raport i mirë.

Duke tërhequr vëmendjen se ka shumë çështje për të cilat Turqia dhe SHBA-ja konvergjojnë dhe të tjera për të cilat hera-herës nuk pajtohen, Kalin rikujtoi se mosmarrëveshja e fundit ndërmjet dy vendeve ka të bëjë me sistemet e mbrojtjes ajrore “S-400”, që Turqia bleu nga Rusia.

I pyetur nga gazetari francez në lidhje me aktivizimin e raketave “S-400”, zëdhënësi i Presidencës turke u përgjigj me këto fjalë: “Në të vërtetë, sa i përket çështjes «S-400», gjithçka po avancon siç ishte planifikuar më parë. Vonesa (në aktivizimin e raketave) është për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19), megjithatë parimisht ne i qëndrojmë besnikë marrëveshjes sonë për sistemet «S-400», sikurse edhe më parë.”/trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne