Ikja në heshtje e gulenistëve nga Shqipëria

Frika se mos përsëritet ngjarja e Kosovës, ku u deportuan 5 mësues turq nga Kosova në Turqi, i ka bërë përfaqësuesit e Lëvizjes Gulen të largohen nga Shqipëria. Në medrese tashmë gjen shumë palë mësuesish turq, ndryshe nga vite më parë. Ndërkohë, në Shqipëri, një tjetër lëvizje turke, këtë herë shtetërore, po gjen terren të hapur.

Gulenistët po ikin nga Shqipëria. Shteasit turq që kanë punuar për fondacionet e filantropit Fetullah Gulen nuk kanë më strehë të sigurt në vendin tonë. Kjo nuk thuhet zyrarisht, por në terren gjërat kanë ndryshuar shumë qëkurse konflikti mes presidentit turk, Erdogan, dhe ish-aleatit të tij shpërtheu dhe arriti kulmin me grushtin e shtetit të korrikut 2016.

Erdogan nuk e ka fshehur asnjëherë kërkesën e tij që Shqipëria të largojë shkollat turke, apo të dorëzojë gulenistët. Ai e kërkoi këtë hapur në vizitën e fundit në Shqipëri dhe madje deklaroi se kishte marrë fjalën nga kryeministri Rama dhe presidenti Nishani për këtë gjë.

“Siç jeni në dijeni, në vendin tonë po sulmojmë një strukturë paralele. Ne e konsiderojmë atë zyrtarisht organizatë terroriste. Luftën ndaj tyre do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di se kjo strukturë ka veprimtari edhe në Shqipëri. E trajtova këtë çështje edhe me vëllezërit e vyer Rama dhe Nishani, dhe jam i bindur se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë veprimet e saj. Unë kam bindjen se Turqia edhe me institucionet e saj mund t’i sigurojë të gjitha ato shërbime që kjo organizatë ka bërë në Shqipëri“, deklaroi Erdogan.

Kështu një konflikt i huaj është importuar edhe në vendin tonë për të krijuar pështjellime jo të vogla, por që mbahen larg syrit të publikut.

Janë dy ngjarje të fundit që i kanë dhënë shtysë të re largimit të gulenistëve nga Shqiëpria. Së pari është dorëzimi i shtetasve turq nga autoritetet e Kosovës dhe deklarata e fundit e kryeministrit Edi Rama se “gulenistët po mbahen nën vëzhgim”.

“Unë nuk flas me nëse. Di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë përmes armëve të një qeverie të zgjedhur në Turqi është i rrezikshëm dhe kur vjen puna te Shqipëria, ne sigurisht që njerëz, individë, të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet, i mbajmë nën vëmendje se bëhet fjalë për sigurinë tonë kombëtare. Kjo nuk është me nëse, kjo është shumë e thjeshtë, e s’kam prirjen t’i konsideroj ato që ndodhën në Turqi, të lehta“, deklaroi Rama.

Të dyja zhvillimet kanë reflektuar në terren. Në një bisedë me një shtetas turk, që tanimë është larguar nga Shqipëria, TemaTv mësoi se mënyra sesi Kosova veproi në muajin mars ndaj pesë mësuesve që akuzoheshin si gulenistë shkaktoi frikë të madhe.

“Situata në Shqipëri filloi të bëhej e rrezikshme, ndaj u detyruam të largoheshim”, thotë shtetasi që identifikohet me emrin Bilal.

Po kështu nëpërmjet burimeve, Tema TV ka mësuar se pas ngjarjes së Kosovës shumë profesorë turq të Lëvizjes Gulen, të frikësuar se mos e njëjta situatë përsëritej edhe në Shqipëri, janë larguar drejt Gjermanisë, Holandës, Kanadasë dhe Amerikës.

Por si po kryhet ky pastrim?

Të dhënat e mbledhura nga “TemATv” sugjerojnë se po përdoren edhe mekanizma të tërthortë ligjorë. Largimi i gulenistëve është imponuar në mënyrë të tillë që të shmanget buja e deportimeve dhe një gjë e tillë është mundësuar te refuzimi për të rinovuar lejet e qëndrimit.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Brendshme, numri i shtetasve turq që kanë aplikuar për leje qëndrimi në Shqipëri në 2018-n ka rënë krahasuar me 2017-n. Nga 880 shtetas që kanë aplikuar në 2017-n, këtë vit numri ka rënë në 556 shtetas turq. Në rënie kanë ardhur edhe kërkesat për vizë njëvjeçare.

Mënyra tjetër është transferimi i administrimit të institucioneve arsimore nga duart e gulenistëve drejt autoriteteve turke që kontrollohen nga Ankaraja zyrtare.

“TemA TV” u interesua në këto institucione në Shqipëri, por nuk mori asnjë përgjigje zyrtare. Jashtë kamerave, përfaqësuesit e tyre deklarojnë se nuk duan t’i hedhin benzinë zjarrit.

Po përmes këtyre burimeve mësohet se në medresetë që tashmë administrohen nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, mësuesit turq janë zëvendësuar nga ata shqiptarë, pasi turqit janë larguar.

Mekanizëm shumë efektiv është edhe Fondacioni Marif, që është shumë aktiv së fundmi në Shqipëri. Së fundmi, ai hyri në aksione për të blerë institucione arsimore dhe për të marrë pozita dominuese në treg. Ai ka blerë institucionin arsimor “New York”, tentoi të njëjtën gjë me shkollën “Udha e shkronjave” por nuk arriti.

Plane nga reagimi në faqen e shkollës

Madje, kjo e fundit ka publikuar edhe një reagim në faqen zyrtare ku ngrihen aludime se Ministria shqiptare e Arsimit është vënë në shërbim të Fondacionit Shtetëror Turk. Këtë aludim, ai e lidh pasi në të njëjtën kohë që Ministria e Arsimit kërkonte bilancin financiar të shkollës “Udha e Shkronjave”, në ato ditë përfaqësuesit e fondacionit “Marif” i kishin bërë ofertën për ta blerë.

Kjo që ndodh me shkollat është vetëm refleks minimal i asaj që shihet në Turqi, ku që nga nëntori i vitit 2013, Erdogani vendosi të mbyllte disa shkolla përgatitore apo ato që quhen “kurset e fundjavës” që përgatisnin studentët për provimet e pranimit në universitet. ¼ e tyre janë të themeluara dhe administrohen nga lëvizja e Gulenit.

Kujtojmë këtu se çështja bëhet më e mprehtë po të mbahet parasysh se institucionet arsimore turke në Shqipëri kanë qenë të preferuara nga fëmijët e elitës së vendit. Fëmijë deputetësh, biznesmenësh, ambasadorësh i frekuentojnë këto shkolla, qofshin kolegje, apo medrese.

Ndoshta drejtimi më radikal i këtij konflikti është Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, i cili zhvillon zgjedhjet në muajin mars të këtij viti. Gazeta turke “Yeni Akit” sulmon vazhdimisht kreun e Komunitetit dhe njerëz pranë tij duke bërë të qartë se drejtimi i KMSH-së është çështje e politikës mes Turqisë dhe Shqipërisë.

Së shpejti, pritet inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë, projekt dhe financim i shtetit turk, që mund të shërbejë edhe si mundësi që Erdogan të shprehë edhe njëherë kërkesat e tij, tashmë të realizuara pjesërisht nga Tirana zyrtare. Fakt është se trazira turke ka imponuar zbrazjen graduale të vendit tonë nga ata që njihen si gulenistë, me mënyra dhe mjete të tërthorta dhe përmes një presioni politik që sa vjen dhe shtohet.(TemA TV)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne