Në një protestë të zhvilluar në Tiranë në mbështetje të Palestinës, Imam Samel Haxhia bëri thirrje për ndërgjegjësim dhe reagim të menjëhershëm ndaj asaj që e cilësoi si gjenocid ndaj popullit palestinez.
“Ne nuk mund të heshtim përballë padrejtësisë. Duhet të reagojmë ndaj gjenocidit dhe të mbështesim kauzën e drejtë të Palestinës,” u shpreh ai para pjesëmarrësve.
Imami shprehu shqetësimin se feja islame po zbehet në vend, ndërsa në vendet e tjera europiane po rritet ndjeshëm. “Kam frikë se Islami po largohet nga vendi ynë. Në Europë, sheshet mbushen plot, ndërsa këtu jemi shumë pak. Duhet ta mbajmë Islamin gjallë në trojet tona,” tha ai.
Haxhia theksoi gjithashtu rëndësinë e qytetit të shenjtë të Kudsit, duke e cilësuar si “vendi i Islamit” dhe një simbol të qëndresës për besimtarët.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore dhe mblodhi qindra qytetarë që shprehën solidaritetin e tyre me popullin palestinez./gazetaimpakt