Bota

Imami i xhamisë Al-Noor në Christchurch kërkon dhënien fund retorikeve islamofobe në vend

Gamal Founda, imami i xhamisë Al-Noor, e cila ka qenë në objektiv të sulmit terrorist në Zelandën e Re, ka thënë se “Masakra e kryer në Christchurch është një pikëkthesë e rëndësishme në historinë e Zelandës së Re për t’i dhënë fund retorikeve islamofobe në vend dhe botë”.

Fouda mbajti një fjalim në Forumin e Myslimanëve Evropianë që u organizua në qytetin Hamburg të Gjermanisë.

Duke vënë në dukje se sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të vërtet ndryshuan pamjen e botës dhe mbjellën farat e urrejtjes dhe racizmit ndaj myslimanëve, Fouda tha se “Ky sulm në Christchurch është një pikëkthesë e rëndësishme në historinë e Zelandës së Re për t’i dhënë fund retorikeve islamofobe në vend dhe botë”.

Ai nga politikanët kërkoi që të nxjerrin ligje kundër atyre që bëjnë retorika të urrejtjes kundër myslimanëve dhe kundër racizmit, ndërsa kërkoi që edhe mediat të marrin një qëndrim kundër islamofobisë.

“Sulmi në Christchurch nuk është ndërmarrë vetëm ndaj myslimanëve që jetojnë në këtë vend, por është fillimi i një lufte kundër paqes dhe dashurisë në botë”, bëri të ditur Fouda dhe vijoi duke thënë se “Askush nuk mund të mposhtë dashurinë e njerëzve ndaj njëri-tjetrit. Kjo nuk mund të copëtohet. Ne qëndrojmë së bashku përballë të keqes”.

Fouda e falënderoi Kryeministren, Jacinda Ardern, përfaqësuesit e feve tjera në Zelandën e Re dhe të gjithë qytetarët e Zelandës së Re për solidarizimin e treguar pas sulmit.

Në këtë forum, ku po diskutohet për ato çfarë mund të bëjnë myslimanët përballë islamofobisë dhe racizmit në rritje në Evropë, morën pjesë përfaqësuesit e shoqatave myslimane nga vendet e shumta.

Pas sulmit terrorist në Zelandën e Re, Forumi i Myslimanëve Evropianë mori vendim për të mbajtur një mbledhje urgjente në Hamburg.

Në sulmet e ndërmarra më 15 mars ndaj xhamisë Al-Noor dhe Linwood në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, kanë humbur jetën 51 persona, në mesin e të cilëve gra e fëmijë dhe janë plagosur 50 të tjerë./ trt

OPINIONE