IMPAKT 73 – Liria e shprehjes dhe arrestimi i Kastriot Myftaraj

Impakt 73 – Të ftuar Kastriot Frashëri, avokat, aktivist i shoqërisë civile dhe njëkohësisht drejtor i Institutit të Çështjeve Civile, dhe Olsi Jazexhi, historian dhe publicist.

Të ftuarit kanë disktuar dhe gjithashtu debatuar për rreth 60 minuta mbi lirinë e shprehjes dhe ekzistencën apo jo të standarteve të dyfishta rreth saj në Shqipëri.

Duke iu referuar rastit të arrestimit të Kastriot Myftaraj mbi një status që kishte postuar në faqen e tij në Facebook, kundër ambasadorës së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, Frashëri ka thënë se “arrestimi është një akt terrorist ndaj lirisë së fjalës”. Për më tepër, ai shton se arrestimi nuk ka pasur as miratimin e organit kompetent, atë të Prokurorisë.

Këtë e mbështet edhe Olsi Jazexhi, i cili e dënon arrestimin e Myftaraj duke e argumentuar këtë me lirinë e mendimit, pavarësisht se shprehet që “Kastrioti e tejkalon me lirinë e shprehjes, ka bërë shpifje shumë të egra kundër islamit”. Në këtë rast, sipas tij “arrestimi nuk është për të zbatuar ligjin … por është si hakmarrje e shtetit, si një dorë e hekurt për ti bërë qejfin dy guvernatorëve gjeneralë që ka Shqipëria sot; njëra është Romana Vlahutin, tjetri është Donald Lu.”

Ai ka shtuar se që “pas ndërhyrjes agresive të BE-së dhe amerikanëve në politikat e Shqipërisë, Shqipëria në mënyrë të vazhdueshme po humbet pavarësinë e saj si shtet … ne trajtohemi si një koloni”.

Komenteve të mësipërme të Jazexhiut mbi sulmet e Myftarajt kundër muslimanëve, Frashëri iu është përgjigjur duke thënë se si mik i Myftarajt, “nuk besoj që Myftraj ka një antipati me islamin”.

Ai madje shton se nuk beson që ka islamofobi në Shqipëri. Kjo ka ngjallur debat në studio, me Olsi Jazexhiun i cili ka renditur disa argumenta të pranisë së islamofobisë në vendin tonë, ku ndër to ai citon komentet e Agron Gjenmarkaj kundër futbollistëve muslimanë të kombëtares sonë, i cili ka thënë se ata nuk duhet të jenë në fushë por në Afganistan.

Gjatë debatit është prekur edhe tema e laicitetit, ku Jazexhi jep argumenta që ai nuk ruhet në fakt në vendin tonë nga vetë qeveritarët, argumente të cilat nuk janë kundërshtuar nga Frashëri.

Duke iu rikthyer rastit të Myftaraj, Jazexhi është shprehur se “në Shqiperi ka standarte të dyfishta kur vjen puna te liria e fjalës”.

Në emision u fol edhe për letrën e Kadaresë në lidhje me rastin e Myftarajt, për të cilën dy të ftuarit ndanë të njëjtin mendim.

“Kadare nuk është patriot, Kadareja nuk e do Shqipërinë. Ai është një servil regjimesh që siç i servilosej Enver Hoxhës, tani i servioloset Amerikës, perëndimit etj.,” është shprehur Jazexhi.

Ndërkohë, Frashëri e lidh reagimin e Kadaresë me përfitimet dhe interesat e tij personale, duke e përdorur rastin si mjet për të arritur qëllimet e tij.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress