Institucionet e luksit, 5 miliardë lekë për makina në 2018

Në 117 tenderë të mbyllur gjatë vitit që lamë pas, Garda, Kuvendi dhe Ndërmarrja e Punëtorëve, Tiranë shpenzuan më shumë lekë për makina. Shpenzime luksi kryhen edhe 12 kryetarë bashkish dhe disa universitete publik

Neritan Gjergo

Institucione Buxhetore kanë paguar gjatë 12 muajve të vitit 2018 një shumë prej 499,69 milion lekë për blerje makinash. Gjatë vitit të protestave masive, kur kërkesat e grupeve shoqërore kanë qenë për zgjerim të konsumit, përmes rritjes së pagave apo uljes së taksave, institucionet shtetërore nuk i kanë kursyer fondet në dispozicion për shpenzime luksi. Kjo e dhënë rezulton në kërkimin në instrumentin e mirë strukturuar “Transaksione Thesari”, dhe janë 117 prokurime të realizuara për blerje makinash. Transaksionet me vlerë më të lartë për këtë kategori shpenzimi i kanë institucione si: Ndërmarrja Numër 1 e Punëtorëve; Garda dhe Kuvendi, por nuk mungon as rasti i denoncuar në Universitetin e Elbasanit, ku Bordi i Administrimit të këtij institucioni shpenzoi 7.6 milionë lekë për blerjen e një makine të re Hyundai, me argumentin se dy makinat që ishin në dispozicion ishin të vjetra dhe nuk i përshtateshin statusit të drejtuesit të Universitetit. Nga institucionet vendore, rezulton se Bashkia Kukës është ndër bashkitë me pagesat më të larta për makina, ndërsa prokurimet e këtij lloji janë  analizuar nga “Open Spending Data”.

Bashkitë
Dymbëdhjetë kryetarë bashkish kanë blerë makina me taksat e qytetarëve, përmes procedurave tenderuese në dukje të rregullta, por diferenca në vlerë mes fondit limit dhe ofertës fituese është e papërfillshme, madje në dy raste është zero. Tenderët janë zhvilluar gjatë periudhës 2017-2018. Në krye qëndron kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, me tre procedura tenderuese të tilla, ku në njërën nga garat janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit. Kryebashkiakja Ademi ka shpallur tenderin për blerje makine me fond limit 3 330 000,00 lekë, ku oferta fituese rezulton me vlerë 3 255 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 75 mijë lekësh në favor të shtetit. Po gjatë vitit 2018, Ademi ka shpallur një tjetër tender për blerje makine, me fond limit 1 001 666,00 lekë, ndërsa oferta fituese është 950 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 51 mijë e 666 lekë në favor të shtetit apo të buxhetit të bashkisë. Në këtë tender janë skualifikuar të gjithë kompanitë e tjera konkurruese. Gjatë vitit 2017, Voltana Ademi ka shpallur një tjetër tender për blerje makine, me fond limit 1 166 667,00 lekë, ku oferta fituese është 1 119 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 47 mijë lekësh. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mizu, ka shpallur tenderin për blerjen e një makine me vlerë 4 750 000,00 lekë ose rreth 42 mijë USD. Oferta fituese rezulton në vlerën 4 720 000,00 lekë, me një diferencë prej 30 mijë lekësh. Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, ka zhvilluar tre procedura tenderuese për blerje makinash, ku diferenca mes fondit limit dhe ofertë fituese është gjithashtu e papërfillshme. Konkretisht, në tenderin me fond limit 2 750 000,00 lekë, oferta fituese është 2 690 000,00 lekë, viti 2018, më diferencë 60 000 lekë, në tenderin me fond limit 833 333,00 lekë, po për blerje makine, oferta fituese është 799 000,00 lekë, me diferencë 34 333 lekë, ndërsa në tenderin me fond limit 1 166 667,00 lekë, oferta fituese është 1 119 000,00 lekë, me diferencë 47 667 lekë. Bashkia Ura Vajgurore, me në krye Juliana Memaj, ka shpallur tenderin me fond limit 2 750 000,00 lekë, në vitin 2018, për blerje makine, ku janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Oferta fituese rezulton me 2 700 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 50 000 lekë në favor të shtetit. Bashkia Gramsh ka shpallur tenderin e firmosur nga kryetarja Luljeta Dollani, për blerje makine, me fond limit 2 083 333,00 lekë. Oferta fituese rezulton aq sa fondi limit, pra me diferencë zero. Në këtë garë rezulton se janë përjashtuar të gjithë operatorët konkurrues, përveç kompanisë fituese. Kompania fituese është “RA-MI KOMPANI Shpk”, me administrator Erjon Rakipllari. Edhe kryetari i Bashkisë Kolonjë, Ilia Stefo, ka shpallur tenderin për blerje makine me fond limit 2 000 000,00 lekë, ku oferta fituese është 2 000 000,00 lekë, pra aq sa fondi limit. Bashkia Finiq, me kryetar Leonidha Hristo, në vitin 2018, ka shpallur tenderin për blerje makinash me fond limit 5 000 000,00 lekë, ku oferta fituese rezulton 4 958 333,00 lekë, me diferencë vetëm 41 667 lekë.

Absurdi

Një tjetër tender, me vlerë 2.5 milionë dollarë, për dhënien me qira të disa makinave për Policinë e Shtetit, u publikua si rast skandali, për shkak të paracaktimit të fituesit. Mediat publikuan dokumentet e një tenderi të Policisë së Shtetit, ku kreu i Policisë, Ardi Veliu, kërkoi marrjen me qira të 134 automjeteve për një periudhë prej 4 vitesh. Sipas specifikimeve teknike, rezulton se policia i kërkoi automjetet me një cilindratë 1550 cc. “Makina duhet të jetë me naftë dhe numri i cilindrave minimumi 4. Kutia e shpejtësisë 5/6+1 marshe, shpejtësia maksimale e mjetit 180 km/orë dhe numri i dyerve 4. Norma e konsumit e kombinuar e mjetit që do të ofrohet duhet të mos e kalojë vlerën 5.5 litër për 100 km. Gjithashtu kërkohen makina me disa aksesorë shtesë si, me sistem drejtimi në krahun e majtë, me asistence hidraulike ose elektrike. Frenat me sistem ABS. Të ketë E.S.P (Sistemi Kontrollit Trajektores), airbag për shoferin dhe pasagjerin. Sipas kërkesave, xhamat duhet të jenë 10 % errësim në xhamat e dyerve të pasme dhe xhami i madh i pasmë”, shkruhej në kërkesë. Në kritere u paracaktua se automjetet duhet të kishin mbyllje të centralizuar të dyerve dhe komandim në distancë. Në relacion nuk është argumentuar përse Policia e Shtetit për herë të parë në historinë e saj po tenderon makina me qira, në vend që t’i blejë ato.

Koncesioni

TEC-i i Vlorës, kompanitë në garë vizitojnë impiantin

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbetet e vendosur që Termocentrali i Vlorës, të vendoset në punë nga një kompani private. Pavarësisht nga akuzat e bëra nga Partia Demokratike se ky detyrim po përjashton kompanitë e huaja të marrin pjesë në garë për shkak të kohës së shkurtër të organizimit të saj, Ministria ka njoftuar se nesër do të organizojë një vizitë brenda strukturës ku ndodhet TEC-i, vizitë kjo që parashikohet edhe në dokumentet e tenderit. Në një reagim të saj, Ministria hodhi poshtë akuzat e PD-së, duke i quajtur si spekulime dhe se kompanitë kanë afat deri në datën 28 shkurt për të dorëzuar ofertën e tyre. Ndërkaq, sipas njoftimit më të fundit, ky dikaster rikujton faktin se pjesëmarrja në këtë vizitë është e detyrueshme, ndërsa gjatë saj kompanitë do të kenë akses në dhomën e të dhënave elektronike duke nënshkruar një deklarate konfidencialiteti për ruajtjen e këtyre te dhënave, si dhe do te pajisen me certifikatë pjesëmarrjeje, e detyrueshme për t’u paraqitur si pjesë e ofertës. Gara për dhënien me koncesion të TEC-it të Vlorës u hap në datën 31 dhjetor 2018, ndërsa vlera për rehabilitimit dhe vënin në funksion të tij pritet të jetë rreth 59 milionë euro. Ky TEC ka një kapacitet 97 MË, por si rrjedhojë e një defekti në tubacionin e ujit, që shërben për ftohjen e turbinës ai nuk funksion që prej vitit 2012.

Tenderi

Sipas dokumenteve të shpallura në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike, privati do të investojë 58 milionë euro për të riparuar defektet e termocentralit, si dhe për të ndryshuar sistemin e prodhimit të energjisë, nga naftë që është aktualisht, në gaz për të ulur kostot. Dhënia me koncesion nënkupton që pronësia e TEC-it të Vlorës do t’i mbetet shtetit. Kompania fituese do të ketë të drejtën e shfrytëzimit të termocentralit për 20 vite, duke prodhuar energji dhe duke e shitur atë në shtet, ose në treg të lirë. Në dokumentet parapake të tenderit, Ministria nuk ka marrë përsipër blerjen e energjisë që do të prodhojë privati nga TEC-i. Por, burime nga kjo Ministri thonë se fillimisht do të priten ofertat, e në bazë të tyre do të negociohen kushtet më të përshtatshme. Termocentrali i Vlorës lindi si një ide e Bankës Botërore, e cila organizoi edhe procedurat e tenderit. Vepra u ndërtua nga një kompani italiane e quajtur “Technimonti”, e cila u pagua 130 milionë dollarë, por dorëzoi një termocentral jofunksional. Që nga përfundimi në vitin 2011, TEC-i i Vlorës ka qenë në konservim, pa prodhuar asnjë ditë energji elektrike, për shkak të defekteve dhe kostos së lartë të prodhimit me naftë.

Deklarata

PD: Prokuroria të hetojë firmat e mirëmbajtjes së rrugëve

Rrugët e bllokuara dhe mungesa e ndihmës nga shteti ndaj qytetarëve të izoluar nga dëbora, kanë bërë që kreu i PD-së, Lulzim Basha të kërkojë hetim për përgjegjësit. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha i bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për të gjitha ato kompani që merren me mirëmbajtjen e rrugëve dhe që marrin lekë nga taksapaguesit shqiptarë.‘Kjo fundjavë vazhdon të ngelet e vështirë për mijëra familje të izoluara nga bora, ndërkohë që qindra milionë euro janë vjedhur nga qeveria në bashkëpunim me oligarkë dhe me kompani të papërgjegjshme. Në vend që të bëjnë pastrimin e segmenteve rrugore, kanë vjedhur paratë dhe po i shijojnë ato me pushime luksi. Unë i bëj thirrje prokurorisë që të nisë hetimet se ku kanë shkuar lekët e taksa paguesve shqiptar që kanë përpirë këto kompani, dhe të marrin përgjegjësi. Këto para duhet t’i rikthehen taksapaguesve. Dua të falënderoj dhjetëra aktivist të shoqërisë civile dhe të PD që në këto 72 orët e fundit ia kanë dalë që të çajnë disa prej fshatrave duke i furnizuar me ushqime’, -tha ndër të tjera kreu i PD-së Lulzim Basha nga selia e PD. Në tre rajonet e Shqipërisë janë 30 kompani që kanë lidhur kontratë për mirëmbajtjen, (rajoni i Gjirokastrës, i Tiranës dhe ai i Shkodrës), dhe nisur nga problematikat e hershme, këtë vit është bërë një riorganizim, prej të cilit detyrimin e mirëmbajtjes e kanë të gjitha rrugët e Shqipërisë, që llogariten në vijë gjatësore në rreth 4000 km. Deri vitin e kaluar, ka pasur vetëm një supervizor që mbikëqyrte punën e tyre, por këtë vit janë tre të tillë që mbikëqyrin punën me ndarje rajonale. Bllokimi i rrugëve për orë të tëra ditën e enjte, do të jetë një sprovë e fortë, që disa prej tyre të justifikojnë përmbajtjen e kontratës që kanë lidhur. Duhet theksuar se fondi për këto firma, së bashku me 4 kontratat e Bankës Botërore për rrugët Kombëtare mbërrin në 5 miliardë lekë dhe detyrimi për to, sipas citimit të kryeministrit Edi Rama është zhbllokimi në kohë rekord i rrugëve.

Ballkone

DPSHTRR ka propozuar disa ndryshime të VKM 763 dt. 6.12.2005 për të specifikuar më mirë rregullat e errësimit të xhamave. Sipas DPSHTRR-së, interpretimet e VKM-së ën fuqi duhet të shfuqizohen për të shmangur kështu të gjitha ‘streset’ gjatë kontrollit. “Propozojmë ndryshim të VKM 763 dt. 6.12.2005! Për ballor/anësorët rreshti 1, mjetet Coupe, specifike, kusht i domosdoshëm të përcjellë 75% dritë”!

Financimi i TAP

Gazsjellësi Trans Adriatik njoftoi se ka arritur me sukses të gjejë financimet për projektin me vlerë 3.9 miliardë euro. Kjo e bën TAP projektin më të madh në Europë në fushën e infrastrukturës. Fondet do të vijnë nga Banka Europiane e Investimeve, BERZH dhe një grup prej 17 bankash tregtare. Me këtë financim, TAP ka siguruar të gjitha fondet e nevojshme për të përmbushur investimet e nevojshme dhe për të vënë në funksion gazsjellësin në vitin 2020.

Gjallërimi i konsumit

Banka e Shqipërisë pret që ekonomia të rritet me ritmet e vitit 2018 edhe më 2019, porse faktorët që mund të ndikojnë negativisht këto zhvillime janë më të shumtë. Banka Qendrore parashikon se rritja do të vijojë të ushqehet, në masën më të madhe, nga gjallërimi i konsumit dhe investimeve në ekonomi, ndërkohë që kontribut pozitiv pritet të vijë edhe nga rritja e mëtejshme e eksporteve.

Rrudhen fasonët

Përtej deklaratave politike për paketa që mbështesin sektorin fason, operatorët e tregut konfirmojnë se asgjë nuk ka ndodhur ndër vite dhe situata është bërë më e vështirë. Rritja e pa konsultuar e pagës minimale, edhe pse nuk shihet si problem ekonomik prej tyre, konsiderohet si precedent aspak pozitiv, për aq kohë sa është marrë pa konsultim. Fasonistët shprehen se është e rëndësishme që të mos hartohen paketa me masa boshe.

Neritan Gjergo

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne