Investimet e huaja arrijnë rekord të ri në 2023, i afrohen vlerës së 1.5 miliardë eurove

Investimet e huaja direkte arritën një rekord të ri historik për vitin 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë ato shënuan vlerën e 1.49 miliardë eurove, në rritje me 8.7% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja ishte ndjeshëm më e ngadalatë krahasuar me nivelin prej 33% të vitit 2022. Edhe tremujori i fundit i vitit 2023 shënoi një vlerë rekord për sa i takon flukseve tremujore të investimeve. Për tremujorin e katërt të vitit, investimet e huaja direkte u vlerësuan nga Banka e Shqipërisë në 402 milionë euro, me rritje vjetore prej 3.6%.

Injektimi i kapitalit të ri arriti në 191 milionë euro, me rritje vjetore prej 4%. Ndërkohë që kategoria e fitimit të riinvestuar u zgjerua me 13% në terma vjetorë dhe arriti vlerën e 226 milionë eurove Pikërisht fitimet e riinvestuara kanë qenë faktori më përcaktues në shifrat rekord të investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, për të gjithë vitin 2022 fitimi i riinvestuar arriti në 803 milionë euro osa pothuajse sa 54% të totalit të investimeve të huaja direkte.

Në vitet e fundit, fitimet e riinvestuara kanë kaluar në vlerë flukset e reja të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, rritja e fitimeve të riinvestuara po ndikohet pjesërisht edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lekë, që konvertohen në Euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave. Rritja e ndjeshme e peshës së fitimeve të riinvestuara në strukturën e investimeve të huaja direkte mund të shpjegohet pjesërisht edhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

Në këtë mënyrë, forcimi i Lekut duket se ka krijuar një rreth vicioz, duke ndikuar statistikisht edhe në rritjen e vlerave të investimeve të huaja. Edhe këtë vit, prurjet valutore nga investimet e huaja e kanë tejkaluare gjerësisht vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të katërt 2023, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 26%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 17%, në sektorin e hidrokarbureve, në masën 16%, në sektorin e energjitikës, në masën 10%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

Këto të dhëna konfirmojnë peshën e lartë që ka fituar sektori i pasurive të paluajtshme në strukturën e investimeve të huaja. Kërkesa nga jorezidentët vlerësohet se ka mbështetur në një masë të madhe rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, veçanërsisht në zonat bregdetare./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne