Investitorët izraelitë në bankat shqiptare? OK për JET Bank nga Banka e Shqipërisë, opozita kërkon hetim nga SPAK

Sektori bankar në Shqipëri po përballet me zhvillime të reja dhe të diskutueshme, teksa interesimi i investitorëve të huaj është shtuar ndjeshëm. Fillimisht u raportua për hyrjen e bankës turke Ziraat, ndërsa paralelisht në treg qarkulloi edhe interesi nga investitorë izraelitë për krijimin e një banke të re në vend.

Ky interes nuk mbeti thjesht në nivel ideje. Në muajin mars, Banka e Shqipërisë dha miratimin për licencimin e bankës së parë plotësisht digjitale në vend, JET Bank, duke hapur një kapitull të ri në sistemin financiar shqiptar. Kjo bankë synon të operojë 100% online, pa asnjë degë fizike, duke ofruar të gjitha shërbimet përmes platformave elektronike.

Por ajo që ka ngritur pikëpyetje të forta është struktura e pronësisë dhe burimi i kapitalit. JET Bank kontrollohet nga një holding i regjistruar në Holandë, ndërsa pas tij qëndrojnë kompani të regjistruara në Qipro dhe Izrael. Aksionari kryesor rezulton të jetë kompania qipriote Constador LTD, në pronësi të shtetasit britaniko-izraelit Idan Avishai, i cili mban mbi 71% të aksioneve.

Banka ka derdhur një kapital fillestar prej rreth 1.06 miliardë lekësh dhe pritet të nisë aktivitetin brenda muajit maj. Megjithatë, mënyra se si u dha ky “ok” nga Banka e Shqipërisë ka shkaktuar reagime të forta politike dhe publike.

Partia Demokratike, përmes deputetit Belind Këlliçi, ka ngritur akuza serioze dhe ka kërkuar transparencë të plotë për këtë proces. Sipas tij, ka dyshime të forta mbi lidhjet e mundshme të aksionarëve me platforma të diskutueshme financiare, veçanërisht në fushën e Forex-it, që në të kaluarën janë raportuar edhe për aktivitete të palicencuara në Shqipëri.

Këlliçi thekson se përgjigjet e Bankës së Shqipërisë kanë qenë të paqarta dhe shmangëse. Ai akuzon institucionin se nuk ka sqaruar nëse këta individë kanë lidhje reale me platformat Forex, duke krijuar dyshime për mungesë transparence ose edhe keqinformim të qëllimshëm.

Madje, sipas të dhënave publike, persona të lidhur me strukturat e JET Bank rezultojnë të kenë pasur lidhje me platformën Fortrade Cyprus, e cila më herët është raportuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për aktivitet të paligjshëm në vend.

Një tjetër shqetësim i ngritur është fakti që JET Bank nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme operimi në tregjet ndërkombëtare. Pra, Shqipëria rezulton të jetë vendi i parë ku kjo bankë do të ushtrojë aktivitetin e saj – një eksperiment financiar me pasoja të panjohura për qytetarët.

Në këtë kontekst, opozita kërkon ndërhyrjen e SPAK për të hetuar:

* procesin e licencimit,
* burimin e kapitalit,
* verifikimet e kryera nga institucionet shtetërore,
* dhe çdo lidhje të mundshme me aktivitete financiare të dyshimta.

Rritja e pranisë së investitorëve të huaj në sektorë strategjikë si bankat nuk është problem në vetvete, por kur shoqërohet me mungesë transparence, lidhje të errëta financiare dhe institucione që japin përgjigje të paqarta, atëherë rreziku kalon drejtpërdrejt tek qytetarët dhe kursimet e tyre.

A kemi të bëjmë me një hap drejt modernizimit të sistemit bankar apo me një derë të hapur për interesa të dyshimta financiare që mund të cenojnë sigurinë ekonomike të vendit?/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne