Investitorët nga Turqia gjithnjë e më shumë investojnë në sektorë të ndryshëm në Mal të Zi

Në Podgoricë, në një organizim të Ambasadës së Turqisë u shënua 29 Tetori, Dita e Republikës së Turqisë. Në ceremoninë e rastit morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë, ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në Mal të Zi dhe zyrtarë të jetës akademike dhe politike në vend. Të pranishmit i përshëndeti Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan, e cila krahas falënderimeve solli mesazhin e Presidentit Rexhep Taip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme. Mesazhi u përcoll me vëmendje nga të pranishmit, ku Presidenti falënderon të gjithë ata që kontribuuan që Turqia të arrijë në nivelin në të cilin ndodhet sot dhe objektivat që ajo ka përpara për t’u ngritur në nivel dhe më të lartë. Nëpërmes një monitori të madh citoheshin fjalët e Presidentit Erdoan: “Nderi i hyrjes në histori si një vend, i cili ndan bukën dhe shtëpinë me të shtypurit e jo si një vend që ua kthen shpinën. Ne kurrë nuk do t ë heqim dorë nga ky qëndrim i yni, nuk do të lejojmë që asnjë pengesë, asnjë sabotim e asnjë lojë të na largojë nga objektivat tona”, citohej presidenti i Turqisë  Rexhep Taip Erdoan.

Turqia dhe Mali i Zi – miq dhe aleatë të vjetër – marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve

Ndërkohë Ambasadorja Songul Ozan u ndal dhe foli edhe për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Malit të Zi duke nënvizuar se ato po rriten dita ditës. “Ne jemi miq dhe aleatë në NATO tha ajo duke shtuar se vetëm gjatë këtij viti kemi pasur 5 vizita në nivel ministrash, kemi reviduar marrëveshjen e tregtisë së lirë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në situata të jashtëzakonshme, marrëveshja për bashkëpunim kulturor, bursa studentëve, marrëveshja për bashkëpunim në fushën e sportit, bashkëpunimi ushtarak, protokolli i binjakëzimit midis Podgoricës dhe Ankarasë dhe një sërë bashkëpunimesh të tjera”. Në ceremoninë me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Republikës së Turqisë, Ambasadorja Ozan falënderoi edhe Qeverinë e Mali të Zi dhe institucionet e tij për bashkëpunim dhe shtoi se lidhjet fisnore janë rezultat i historisë dhe kulturës të përbashkët dhe këto lidhje shërbejnë si urë për qytetarët tanë që i kanë rrënjët nga Mali i Zi. Bashkëjetesa në paqe e të gjitha bashkësive etnike në Mal të Zi mund të shërbejnë si model për të gjitha vendet e tjera të Ballkanit nënvizoi Ambasadorja Songul Ozan.

Investitorët nga Turqia gjithnjë e më shumë investojnë në sektorë  të ndryshëm në Mal të  Zi 

Duke iu drejtuar mysafirëve të shumtë ajo u ndal dhe foli edhe për investimet e shumta të kompanive turke këtu. Znj. Ozan tha se kompani prestigjioze dhe të fuqishme tash një kohë të gjatë bëjnë biznes me sukses në Mal të Zi. “Viteve të fundit sektori ynë privat dhe kompani të shumta të mëdha dhe të vogla vazhdimisht po i rrisin investimet e tyre këtu, vëllimi i tregtisë tonë të përbashkët dhe numri i turistëve është gjithnjë e në rritje. Krahas TIKA-s dhe Institutit “Yuns Emre”, të cilët çmohen shumë në Mal të Zi, jemi krenarë edhe për suksesin e institucioneve tona me markë ndërkombëtare siç janë “Ziraat Banka” dhe “Turkish Airlines”.

Ambasadorja Songul Ozan tha se “Sot në Turqi në çdo hap qëndron dedikimi, vendosmëria dhe guximi i popullit tonë, i cili me përkushtim të madh  nën udhëheqjen e Musfafa Kemal Ataturkut luftoi për lirinë e vendit. Në festën tonë më të bukur , me respekt dhe falënderim edhe një herë evokojmë me nder Ataturkun dhe të gjithë të rënët (shehitëve) dhe veteranët”. Turqia e sotme është pjesë përbërëse e institucionet euro-atlantike që nga themelimi i tyre, është  njëra nga anëtaret më me vlerë dhe më aktive e shumë institucioneve siç është NATO,Komisioni Evropian dhe OSBE-ja. Gjithashtu Turqia është partner ekonomik i Bashkimit Evropian (BE), e ku qëllimi ynë është anëtarësim i plotë në të. Me sektorin tonë privat të fuqishëm dhe dinamik, me të rinj të arsimuar me ekonominë tonë të fuqishme jemi brenda G-20. Shteti ynë është aktori më i rëndësishëm politik, ekonomik, dhe kulturor që ka për qëllim paqen dhe bashkëjetesën në rajonin tonë, por edhe mbarë botën. Ne jemi në vendin e parë në botë sa i përket çështjeve humanitare dhe ndihmave zhvillimore në krahasim me të ardhurat kombëtare për frymë, ka veçuar ambasadorja Songul Ozan.

Turqia kontribuuese në reduktimin e presionit të fluksit të migrantëve në Ballkan dhe Evropë

Ambasadorja Ozan ka shtuar po ashtu se Turqia vazhdon luftën kundër organizatës separatiste PKK dhe shumë organizatave të tjera terroriste, të cilat cenojnë ekzistencën e Turqisë në suaza të normave të krijuara nga Kombet e Bashkuara dhe Komisioni Evropian. Principi i Ataturkut “Paqe në shtëpi, paqe në botë” është baza e politikës tonë të jashtme. Ne tregojmë respekt ndaj integritetit territorial të fqinjëve tanë. Dëshirojmë të jetojmë me ta në paqe dhe mirëqenie. Të gjithë e dimë se çfarë katastrofe humanitare dhe krize ka shkaktuar lufta në Siri. Turqia është shtet bujar, e cila ka hapur dyert për 3 milionë e 775 mijë sirianë, ku ka shpenzuar 40 miliardë dollarë. Shteti jonë ka marrë mbi vete një barrë shumë të rëndë për të zbutur krizën e migracionit që qëndron para dyerve të Evropës dhe është shumë e përkushtuar në këtë drejtim. Operacioni ynë i fundit në kufi me Sirinë nën moton “Burimi i paqes” është po ashtu i orientuar kundër terrorizmit dhe jo ndaj vëllezërve tanë kurdë dhe civilëve të pa fajshëm, ka theksuar ambasadorja Ozan duke shtuar se qëllimi i Turqisë është parandalimi i formimit të korridorit terrorist në kufirin me Sirinë. / trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne