Irani: Bideni na dërgoi “kërkesë”, jo “paralajmërim” rreth sulmeve ndaj ushtarëve amerikanë

Irani argumentoi se deklarata e presidentit të SHBA-së, Joe Biden se ai i ka dërguar “mesazh paralajmërues” liderit iranian, Ajatollah Ali Khameneit për sulmet ndaj ushtarëve amerikanë në rajon nuk është e vërtetë.

Zëvendësi i Zyrës Presidenciale të Iranit për Çështjet Politike, Mohammed Jamshidi deklaroi në platformën e mediave sociale X se ata morën mesazhe “kërkese” nga presidenti amerikan Biden, e jo “paralajmërim”.

Duke thënë se mesazhet e dërguara nga administrata amerikane nuk i drejtoheshin Khameneit siç tha Biden, Jamshidi theksoi: “Mesazhet e SHBA-së as nuk i drejtoheshin liderit të revolucionit dhe as nuk ishin asgjë tjetër përveç kërkesave nga Irani. Nëse Biden mendon se po paralajmëron Iranin, ai duhet t’i kërkojë ekipit të tij t’i tregojnë tekstin e mesazheve”.

Hezbollahu në Liban, i mbështetur nga Irani, në një deklaratë më 8 tetor njoftoi se ata mbështesin grupet palestineze në Rripin e Gazës. Më pas nisën përleshjet e ndërsjella ndërmjet Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite në kufirin jugor të Libanit.

Njëkohësisht me këto zhvillime, milicitë e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak deklaruan se ishin në anën e Hezbollahut dhe Hamasit dhe kërcënuan se do t’i godasin objektivat e SHBA-së në Irak dhe Siri nëse SHBA-ja ndërhyn në luftë. Pas kërcënimeve, bazat amerikane në Irak dhe Siri u sulmuan me raketa dhe mjete ajrore pa pilot.

Biden në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin australian, Anthony Albanese në Washington tha: “Unë paralajmërova Ajatollahun (udhëheqësi iranian Khamenei) se nëse ata vazhdojnë të veprojnë kundër ushtarëve tanë në këtë mënyrë, ne do të përgjigjemi dhe ata duhet të jenë të përgatitur për këtë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne