Irani dënon vendimin e Britanisë për Hezbollahun e Libanit

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Behram Kasimi, ka dënuar vendimin e Britanisë së Madhe për vendosjen e Hezbollahut të Libanit në listën e organizatave terroriste, transmeton Anadolu Agency.

Në një deklaratë me shkrim në faqen e Ministrisë së Jashtme, Kasimi ka bërë të ditur se Hezbollahu ka një mbështetje të gjerë sociale në Liban dhe se bashkë me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe parlamentare që po zhvillohen, merr pjesë edhe në kabinet.

“Me këtë hap Britania nuk e ka marrë në konsideratë një pjesë të madhe të popullit libanez dhe pozitën e Hezbollahut në strukturën politike të vendit”, thotë Kasimi duke i rekomanduar qeverisë së Londrës që të shikojë situatën e organizatës në zgjedhjet e fundit.

Ai tha se Irani e sheh Hezbollahun si një forcë legjitime dhe ligjore. Kasimi e konsideron “të gabuar dhe të papërgjegjshëm” vendimin e Britanisë ndërsa mbron idenë e tij se kjo është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Më 25 shkurt, Ministria e Brendshme britanike në një deklaratë me shkrim njoftoi se e ka vendosur Hezbollahun e Libanit në listën e saj të organizatave terroriste, përfshirë edhe krahun e saj politik. Në deklaratë thuhej se ndryshimet do të hynin në fuqi më 1 mars ndërsa vendimi do t’i nënshtrohet miratimit të Parlamentit.

Më parë Britania në listën e terrorizmit kishte vendosur vetëm krahun ushtarak të Hezbollahut.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne