Irani ofron paqe pas kërcënimeve të ashpra saudite

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif thotë se Irani është gati t’i ofrojë paqen Arabisë Saudite si një dhuratë, pasi princi i kurorës mbretërore kërcënoi për luftë në territorin iranian.

“Një zyrtar saudit ka kërcënuar së fundmi për luftë në Iran. Unë deklaroj zyrtarisht dhe në emër të qeverisë së Iranit sot se jemi gati të ofrojmë paqen si një dhuratë për të gjithë rajonin, kryesisht për Arabinë Saudite”, tha ai.

Njoftimi i Zarif erdhi në një artikull të botuar të shtunën në median me qendër në Londër, al-Araby al-Jadeed, ku ai shprehte kushtet e Iranit për paqen.

“Megjithatë, realizimi i kësaj çështjeje varet nga qeveria saudite; duke i dhënë fund luftës së saj të kotë dhe sulmeve vdekjeprurëse kundër popullit jemenas, dhe duke braktisur goditjen e saj ndaj shumicës pro-demokracisë në vendet fqinje”, shtoi ai.

Ai po reagonte ndaj zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili kohët e fundit tha: “Ne do të punojmë që beteja të kryhet në Iran e jo në Arabinë Saudite”.

Zarif tha: “Disa qeveri arabe e kanë tërhequr rajonin tonë drejt paqëndrueshmërisë në vitet e fundit, përmes përshkallëzimit të politikave dhe masave destruktive.”

“Promovimi dhe mbështetja e ideologjive ekstremiste dhe paraqitja e një imazhi të dhunshëm dhe joreal të Islamit në njërën anë, dhe sakrifikimi i interesave të vendeve të rajonit përmes promovimit të paqëndrueshmërisë, gjakderdhjes dhe vëllavrasjes në anën tjetër, përmbledhin këto politika”, tha ai.

“Këto masa luftarake përfundimisht nuk do të rezultonin në asgjë tjetër përveç se t’u shërbenin armiqve më të mëdhenj të kombeve muslimane dhe arabe”, shkroi Zarif.

Ministri tha se linja e politikës që po ndiqet aktualisht nga sundimtarët sauditë po ndihmon “projektin Iranofob, i cili është nisur dhe promovuar nga regjimi sionist prej vitesh”.

“Sot Irani i qëndrueshëm po kërkon stabilitet në të gjithë rajonin, sepse e di se arritja e sigurisë në vend në kurriz të pasigurisë midis fqinjëve është në thelb e pamundur”, thuhej në artikull.

Tensionet midis Iranit dhe Arabisë Saudite janë përshkallëzuar që kur mbretëria ekzekutoi një klerik Shia të shquar në janar 2016.

Ekzekutimi nxiti protesta të zemëruara në shumë vende, përfshirë Iranin. Protestuesit sulmuan ambasadën saudite në Teheran dhe konsullatën e saj në Mashhad, duke nxitur Rijadin të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike.

Krisja u pasua nga vërejtjet provokuese kundër Iranit nga zyrtarët sauditë, duke përfshirë Salmanin dhe Ministrin e Jashtëm Adel al-Jubeir.

Megjithatë të hënën, ministria e jashtme e Iranit tha se përgjigja e saj ndaj komenteve të tilla ishte se nuk kërkon tension me Arabinë Saudite.

Irani është kritik ndaj luftës së Arabisë Saudite në Jemen, luftë e cila ka vrarë mijëra civilë dhe ka shkatërruar infrastrukturën e vendit të varfër gjatë dy viteve të fundit.

Teherani ka sulmuar gjithashtu ndihmën e Rijadit për militantët që luftojnë për të rrëzuar qeverinë siriane, si dhe kontributin e tij ndaj goditjes së vazhdueshme të protestave pro-demokratike në Bahrein.

Zarif foli për Presidentin Donald Tramp, i cili aktualisht po viziton Arabinë Saudite në turneun e tij të parë ndërkombëtar që nga marrja e detyrës.

“Nëse presidenti amerikan e sheh veten si mik të regjimit të Rijadit dhe është besnik ndaj parullave të fushatës së tij zgjedhore, ai duhet të flasë me të rreth mënyrave të mbajtjes së terroristëve të Tekfirit në rajon dhe parandalimit të përsëritjes së 11 shtatorit në të tjera vende perëndimore nga qytetarët sauditë”.

Zarif tha: “Irani është gati të bashkëpunojë me vendet rajonale dhe jashtë-rajonale në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, dhe në ndihmimin e rivendosjes së paqes dhe qetësisë në Siri”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne