Parlamenti i Iranit ka miratuar një projektligj që vendos Komandën Qendrore të ShBA-ve (CENTCOM) në listën e terrorit, raporton agjencia zyrtare e lajmeve të këtij vendi IRNA.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, vendimi erdhi si përgjigje ndaj vendosjes së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e zezë të Uashingtonit.
IRNA tha se vendimi erdhi në “kundërshtimin e lëvizjes së ShBA-ve për të dobësuar paqen dhe sigurinë e rajonit si dhe të gjithë botës duke etiketuar IRCG-në si një grup terrorist”.
Agjencia iraniane e lajmeve po ashtu cilëson se qeveria dhe forcat e armatosura iraniane “ndërmarrin veprimet e nevojshme që forcat amerikane të mos jenë në gjendje të përdorin pushtetin dhe objektet e tyre kundër interesave të Iranit”.
Vendimi po ashtu përcakton se çdo bashkëpunim me CENTCOM konsiderohet si një “akt terrorist”.
Javën e kaluar, Parlamenti iranian miratoi një projektligj që i konsideron të gjitha forcat e ShBA-ve që veprojnë në Lindjen e Mesme si grupe terroriste, në hakmarrje për etiketimin e IRGC-së si një organizatë terroriste.
Veprimi për vendosjen e CENTCOM-it në listën e terrorit të Iranit erdhi një ditë pasi administrata amerikane paralajmëroi se do t’i japë fund përjashtimit nga sanksionet për importin e naftës nga Irani për 8 vende, ku bëjnë pjesë Turqia, Kina, Greqia, India, Italia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani.
ShBA-të ri-imponuan sanksione mbi eksportet iraniane të naftës në muajin nëntor pasi Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin.
Administrata amerikane më pas njoftoi se do të jepte përjashtime 180-ditore për 8 vende me qëllim për t’i ndihmuar ata të shmangnin furnizimin e tyre me naftë iraniane./ trt