Irani: Sulmi ndaj Izraelit ishte “i domosdoshëm dhe i përshtatshëm”

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit ishte “i domosdoshëm dhe i përshtatshëm” dhe kishte për qëllim objektiva ushtarakë, tha sot Ministria e Jashtme iraniane. Në një konferencë shtypi në kryeqytetin Teheran, zëdhënësi i ministrisë Nasser Kanaani tha se veprimi ushtarak u bë i nevojshëm pas mungesës së veprimeve nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe gjithashtu për shkak të “sjelljes së papërgjegjshme” të treguar nga SHBA-ja, Britania dhe Franca.

Më 1 prill, një sulm në Konsullatën iraniane në Damask, për të cilin Irani fajësoi Izraelin, rezultoi në vrasjen e shtatë zyrtarëve ushtarakë iranianë, duke përfshirë një komandant të lartë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për Sirinë dhe Libanin. Pas sulmit, udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake iraniane u zotua për “hakmarrje vendimtare”. Të shtunën vonë, IRGC-ja lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit në një operacion të quajtur “Premtimi i Vërtetë”, që zgjati disa orë, duke ndezur situatën tashmë të tensionuar rajonale.

Zyrtarët iranianë, përfshirë presidentin Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, justifikuan veprimin ushtarak, sulmin e parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, si një “mbrojtje legjitime”. Kanaani, duke iu drejtuar mediave sot në Teheran, tha se sulmi që synonte objektet ushtarake në Izrael ishte “në përputhje me të drejtën e natyrshme të Iranit për vetëmbrojtje” dhe “brenda kornizës së mbrojtjes legjitime sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

Ai tha se sulmi ishte në përgjigje të “agresionit të përsëritur të Izraelit”, duke përfshirë sulmin ndaj Konsullatës iraniane në Damask, duke shtuar se ushtria iraniane veproi “profesionalisht dhe me përgjegjësi”. Duke përsëritur atë që tha ministri i jashtëm i Iranit të dielën, Kanaani tha se Teherani kishte dhënë “paralajmërime të nevojshme përpara aksionit ushtarak në mënyrë diplomatike”.

Amir-Abdollahian të dielën tha se Irani “u kishte komunikuar fqinjëve dhe aleatëve tanë se reagimi ynë do të shfaqej pa mëdyshje si një mbrojtje legjitime”, duke shtuar se objektivi ishte “mbrojtja legjitime” dhe kishte të bënte me “ndëshkimin e regjimit agresiv të Izraelit”. Kanaani, duke përsëritur të njëjtën gjë, tha se Irani ka “lëshuar paralajmërime” kundër përdorimit të mundshëm të hapësirës ajrore dhe territorit të vendeve të rajonit nga SHBA-ja në mbështetje të Izraelit. Mes spekulimeve se Izraeli mund t’i përgjigjet sulmeve të Iranit, ka raportime se zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Tel Avivit që të mos vazhdojë me ndonjë veprim të mëtejshëm ushtarak./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne