ISA MUSTAFA: SHKËMBIMI I TERRITOREVE E THELLON PROBLEMIN ME SERBINË

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se prekja e kufijve është cenim i shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij vendi është në rrezikun më të madh pas shpalljes së pavarësisë.

“Idetë për korrigjim të kufijve, për shkëmbim të territoreve, për autonomi speciale për serbet, janë kanosje serioze ndaj asaj çfarë kemi ndërtuar këto dhjetë vite, nga Deklarata e shpalljes së pavarësisë, aprovimi Kushtetutës e Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Mustafa përmes Facebook.

“Nuk ka asnjë arsye që Kosova pas 116 njohjeve ta vë në pikëpyetje shtetësinë e vet, thjesht nga fakti se këtë shtetësi nuk e ka pranuar Serbia, se po u dashka të krijojë hapësirë që edhe Serbia të fitoj diçka. Serbia shkaktoi mbi 13,500 viktima të luftës në Kosovë, hordhitë serbe dhunuan mbi 20 mijë gra, shkatërruan mbi 100 mijë prona, plaçkitën fondin e pensioneve, dezinvestuan në të gjitha fushat, shkatërruan ekonominë, depërtuan mbi një milion banorë… Këto janë viktimat dhe disa nga pasojat e shkaktuar nga logjika e Serbisë për të fituar. Prandaj, nuk duhet të krijojmë rast për viktima të tjera, për zhvendosje të popullsisë e për konflikte të reja.

Korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi i territorit sipas Mustafës nuk e përfundon raportin me Serbinë por e thellon amullinë e shtetit të Kosovës.

“Serbët nuk jetojnë vetëm në veri, ata jetojnë edhe në 6 komuna me shumicë në brendi të Kosovës, jetojnë në Bujanovc dhe Medvegje (që po thuhet se i marrim bashkë me Preshevën pa dhënë asgjë!?) prandaj çështja e serbëve nuk përfundon me kufij etnik, por fillon me rrëmbim të një pjese të territorit, pastaj me kërkesa specifika për Kishën Ortodokse serbe dhe për komunat me shumicë serbe. Fillon e nuk mbaron. Idetë e tilla e shkatërrojnë qenien tonë shtetërore dhe na sjellin në një gjendje të padefinuar”.

“Arsyetimi i korrigjimit të territorit me “zbulimet” se komunat në veri i kemi marrë si dhuratë nga Tito dhe Rankoviçi për të prishur përbërjen etnike të Kosovës është joserioz, për aq sa do të ishte joserioze të mendohet se ne paskemi gabuar që e kemi shpallur pavarësinë në territorin që përfshinë edhe këto komuna të veriut, në tokën e Kosovës. Kjo sjellje është mohim i Deklaratës së Pavarësisë nga goja e institucionit formalisht më të lartë të vendit. Idetë dhe iniciativat për ta dërmuar këtë vend, nuk janë të pakta. Sa isha kryeministër i Kosovës me pompozitet trumbetohej iniciativa për Unionin Ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Një Jugosllavi e re, pa Kroacinë e Slloveninë por me Shqipërinë. Sikurse edhe ideja për Unionin Doganor të Vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë i kam kundërshtuar fuqimisht në emër të Qeverisë së Kosovës dhe nuk kemi lejuar që Kosova të shkrihet në organizma të tillë që në substancë e dëmtonin shtetin tonë”.

LDK, ka thënë Mustafa se konsideron që Kosova i ka kufijtë e vet të merituar dhe legjitim dhe se prekja e tyre është prekje dhe cenim i qenies sonë shtetërore.

“Serbia duhet ta pranojë Kosovën në kufijtë që e ka shpallur pavarësinë dhe në të cilët e kanë njohur mbi gjysma e shteteve të rruzullit tokësor. Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet ta blejmë me shkëmbime territoresh por duhet ta arrijmë me ndërtim të raporteve të paqes dhe fqinjësisë së mirë dhe respektim të të drejtave të serbëve sipas standardeve më të mira evropiane, më zhvillim ekonomik dhe prosperitet arsimor e kulturor. Pozita e pakicave, as atyre shqiptare dhe as atyre serbe, sikurse edhe e pakicave tjera nuk zgjidhet me kufi etnik dhe me zhvendosje të tyre por duke ua siguruar të drejtat e barabarta”.

Burimi: Insajderi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne