Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika paraqitet në SPAK

Ish-drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika është paraqitur në SPAK ditën e sotme. Arsyeja e paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme ende nuk dihet. Dashamir Xhika ka qenë dhe kandidat për deputet i LSI-së në qarkun e Elbasanit në zgjedhjet e 2017.

Ish-drejtori i ARRSH-së është arrestuar në 2018 për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorim detyre. Ai së bashku me Andi Tomën dhe disa zyrtarë të tjerë u arrestuan kanë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Dashamir Xhika, ish-drejtori i ardhur nga radhët e LSI-së në kohën e qeverisjes PS-LSI, në 4 shkurt 2018 u arrestua për abuzime me segmentin rrugor Elbasan-Gjinar. Gjithashtu në atë kohë u arrestuan edhe Albens Alite e Aksel Qurduka, ish-drejtues të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan. Por ish-drejtuesi i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika u lirua më 23 nëntor 2023 pas një vendimit të togave të Gjykatës Penale që ndryshuan masën në “arrest shtëpie”.

Hetimet nisën pas një auditimi që bëri në atë kohë Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, i cili u përmbyll duke llogaritur një dëm prej rreth 54 milionë dollarësh me kontratat abuzive të aksit rrugor. Ndaj 3 ish zyrtarëve u ngritën akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim.

Sipas kallëzimit të Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, dorëzuar në dhjetor të vitit 2017 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Xhika dhe dy ish-zyrtarët e tjerë, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë- Elbasan.

Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private. Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 dollarë.

Përveç dëmit prej rreth 54 milionë dollarë, auditi konstatoi edhe një shkelje të disiplinës financiare, me vlerë rreth 16 milionë dollarë. Ky dëm, sipas auditit, është shkaktuar nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës, pa burime financimi.

Po kështu, raporti i dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shkruan se 25,220,016 dollarë dëme janë shkaktuar nga mosargumentimi i vonesave për zgjedhje teknike financiere të çështjeve të dala, moszbatimi i detyrimeve të lëna nga Këshilli Teknik për kontraktonin e rrugës, duke i lënë hapësirë këtij të fundit për pretendime në zbatimin e projektit për segmentin nr. 1, duke mos përfshirë asistencën e Avokaturës së Shtetit në këtë çështje.

Po kështu, 11,665,552 dollarë dëme janë shkaktuar në të njëjtën mënyrë si më lartë, por kësaj here për një segment tjetër të rrugës, atë nr. 3. Raporti thotë, se 10,816,007 dollarë dëme janë shkaktuar nga pagesat e dyfishta për punë të përfunduara më parë si edhe të shlyera para nënshkrimit të amendimit.

Bëhet fjalë për para të hedhura edhe një herë, që s’dihet se ku kanë përfunduar, për një punë që është kryer sipas një kontrate te vitit 2016. Raporti konstaton edhe një diferencë çmimesh mes llogaritjeve dhe aplikimit për disa punime të kryera në një segment tjetër, që kap shifrën e 2,916,900 dollarëve. Për transportin e disa materialeve të rrugës janë paguar 1,269,000 dollarë në mënyrë të pajustifikueshme.

Për punimet e kryera te “Useku i Mulletit”, është konstatuar një diferencë mes çmimit të aplikuar dhe atij të llogaritur prej 972,074 dollarësh. 632,839 dollarë dëme janë shkaktuar nga nënshkrimi i një amendament-kontrate me vlerë më të madhe se vlera e diskutuar dhe miratuar në parim nga palët; 454,000 dollarë dëme nga pagesa dy herë e projektit “Useku i Mulletit” dhe 36,955 dollarë nga shtimi i disa zërave për rehabilitimin e një segmenti shumë të shkurtër./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne