Ish-kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, njofton dorëheqjen nga posti

Ish-kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sulejman Rexhepi, përmes një komunikate ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti.

Në dorëheqjen e tij Rexhepi thekson se gjatë kohës sa ka qenë në krye të BFI-së ka punuar në ngritjen e cilësisë të arsimit fetar, mes tjerash përmes jetësimit të Fakultetit të Shkencave Islame, ndërsa është shprehur se kohëve të fundit në “opinion qarkulluan një sërë dezinformatash” të cilën ai e vlerëson si jocivilizuese.

“Si prijës fetar dhe njeri, jam thellësisht i prekur nga kjo fushatë denigruese por në asnjë çast nuk e kam kontestuar të drejtën e askujt të shpreh mendimin dhe opinionin e vet duke u mbështetur në faktin se gjykatësi i vetëm dhe përfundimtar i veprave dhe veprimeve të çdo njeriu është dhe do të mbetet vetëm Allahu Fuqiplotë”, thuhet në komunikatë.

“Përmes kësaj komunikate time, e njoftoj opinionin e gjerë se jap dorëheqje të parevokueshme nga posti i Reisul Ulema të BFI në RMV duke theksuar se për punën time deri në këtë moment mbaj përgjegjësinë përpara Zotit dhe përpara ligjit”, ka shkruar gjithashtu Rexhepi, duke uruar mbarëvajtjen e funksionimit të BFI-së.

Kujtojmë se të mërkurën, Rijaseti i BFI-së mbajti mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën vendosi që të shkarkojë Sulejman Rexhepin.

Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja për kryetar të ri të BFI-së, ushtrues detyre u caktua Shaqir Fetahu, myftiu i Gostivarit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne