Washington, qindra protestues për vdekjen e George Floyd

Qindra demonstrues u mblodhën në Washington të premten disa orë pas arrestimit të oficerit të bardhë të policisë të përfshirë në vdekjen e afro-amerikanit George Floyd në shtetin e Minnesotas.

Protestuesit u mblodhën në rrugët “14” dhe “U” në veriperëndim të Washingtonit, pasi ish-oficeri i policisë Derek Chauvin u akuzua për vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim të George Floyd, sipas Prokurorit të Qarkut Hennepin, Michael Freeman, në Minneapolis.

Protestuesit u nisën drejt Shtëpisë së Bardhë, ku u përballën me një përgjigje të policisë, ndërsa pati disa përleshje me pjestarët e shërbimit sekret.

Duke mbajtur banderolat ku shkruhej “Jeta e të zinjëve është e rëndësishme”, demonstruesit brohorisnin “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe!” gjatë marshimit.

Floyd, 46 vjeç, u arrestua të hënën pasi thuhet se u përpoq të përdorte një banknotë të falsifikuar 20-dollarëshe në një dyqan lokal.

Videoja e publikuar në Facebook e tregon atë të prangosur dhe bashkëpunues.

Megjithatë, policia pretendoi se ai i rezistoi arrestimit. Oficeri Chauvin ia vuri gjurin në qafë, përkundër përgjërimeve të përsëritura të Floyd: “Nuk mund të marr frymë”.

Pas pak, Floyd duket se si humb vetëdijen, por oficeri vazhdon të mbaj qëndrimin ndaj viktimës.

Ai vdiq menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Më parë, presidenti Donald Trump tha se ai ka folur me familjen Floyd dhe u shprehu “ngushëllimet më të thella të kombit tonë dhe simpatitë më të përzemërta familjes së George Floyd”.

Në ditën e katërt të protestave, demostratat shpërthyen në disa pjesë të SHBA-së, përfshirë New York-un, Denver-in, Chicago-n dhe Oakland-in./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne