Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi kërkon rikthimin. E ndërsa në politikën e brendshme nuk ka mundur të gjejë ende hapësirat e duhura, ai po i kthen sytë tani nga zgjedhjet europiane.
Berlusconi foli në një konventë të partisë së tij të qendrës së djathtë, “Forza Italia”, që vitet e fundit ka njohur një rënie të mbështetjes, pasi votat i kanë shkuar partive të djathta euroskeptike dhe me mesazhe antiemigrantë, veçanërisht “Lega Nord”-it.
“Me politikat e saj të kursimit, burokracitë e saj, kufizimet e shumta që u janë vendosur shteteve, paratë që u merren shteteve dhe shpenzohen keq…Europa duhet të ndryshojë, e për ta ndryshuar atë, aleancat duhen ndryshuar”, tha Silvio Berlusconi, president i “Forza Italia”.
Në një tubim të mbajtur në Romë, me rastin e 25-vjetorit të partisë së tij, Berlusconi tha se, pavarësisht moshës së tij të thyer tashmë, ai do të hynte në zgjedhjet europiane.
“Duket se, nevoja e pranisë sonë të rëndësishme brenda Partive Popullore Europiane është më e madhe sesa kurrë. Kjo më ka shtyrë të provoj sërish, pavarësisht moshës sime të shkuar, të jem i pranishëm në Bruksel për të luftuar edhe këtë betejë të radhës”, tha Silvio Berlusconi.
Sidoqoftë, Berlusconi tha të shtunën se ai do të luftojë që Europa të rikthehet te projekti i etërve themelues, që donin një union më të bashkuar, një Europë me një politikë të jashtme dhe me një politikë të përbashkët të mbrojtjes.