Ish-kryeministri pakistanez urdhërohet të “dorëzohet” në gjykatë

Një gjykatë pakistaneze urdhëroi të martën ish-kryeministrin Nawaz Sharif, i cili është në Londër për trajtim mjekësor, të “dorëzohet” në gjykatë javën e ardhshme.

Vendimi i Gjykatës së Lartë në Islamabad erdhi gjatë një seance dëgjimore të ankesave të paraqitura nga ish-kryeministri, vajza dhe dhëndri i tij kundër dënimit të tyre në çështjet e korrupsionit.

“Ne nuk po e shpallim Nawaz Sharif të arratisur, ne po i japim atij një mundësi të dorëzohet përpara gjykatës”, transmetuesi lokal “Geo News” citoi të ketë thënë, Amir Farooq, një gjyqtar i lartë i gjykatës.

Gjykata caktoi seancën e ardhshme për 10 shtator dhe i kërkoi Sharifit që të paraqitej para gjykatës personalisht.

Maryam Nawaz, vajza e Sharifit, gjithashtu u paraqit para gjykatës gjatë seancës.

Duke folur para gazetarëve para gjykatës, ajo tha se Sharif do të kthehet në vend sapo të përfundojë trajtimi i tij dhe gjendja e tij shëndetësore të jetë jashtë rrezikut.

“Trajtimi i Sharifit është në proces, ai u vonua për shkak të koronavirusit”, shtoi ajo.

Në nëntor 2019, Gjykata e Lartë e Lahorit i dha një leje katër-javore ish-kryeministrit për të udhëtuar jashtë vendit për arsye mjekësore.

Megjithatë, sipas avokatit të familjes së Sharifit, gjykata gjithashtu kishte vendosur që afati mund të zgjatet me rekomandimin e mjekëve.

Ish-kryeministri pakistanez vuante nga një çrregullim gjakderdhjeje në të cilin sistemi imunitar shkatërron trombocitet, dhe aktualisht ai është në Londër për trajtimin e tij.

Sharif u zgjodh tre herë si Kryeministër nga 1990-1992, 1997-1999 dhe 2013-2017, por nuk arriti të përfundonte asnjë mandat të vetëm pesëvjeçar. Një nga qeveritë e tij u shkarkua për akuzat e korrupsionit në vitin 1992, dhe një tjetër përmes një grushti shteti pa gjakderdhje në vitin 1999.

Në vitin 2017, ai u skualifikua nga Gjykata e Lartë lidhur me skandalin “Panama Papers”, i cili çoi gjithashtu në ngritjen e tre çështjeve të korrupsionit. Jo shumë kohë më vonë, gjykata e lartë e ndaloi gjithashtu atë të mbante postin e liderit të partisë së tij, Lidhja Muslimane e Pakistanit-Nawaz.

Ish-kryeministri i rrëzuar, i cili ka bërë dy herë operacione të zemrës, u dënua në dy nga tre rastet e korrupsionit dhe u shfajësua në të tretin.

Në çështjen e parë, Sharif, vajza dhe dhëndri i tij, u dënua në korrik 2018 me 10 vjet burg në një rast korrupsioni nga gjykata në Islamabad, por Gjykata e Lartë e Islamabadit pezulloi dënimin në shtator 2018.

Në rastin e dytë, të njohur si Al Azizia, në dhjetor 2018, Sharif mori shtatë vjet burg për zotërimin e pasurive jashtë burimeve të njohura të të ardhurave. Gjykata pezulloi dënimin me burg dhe i dha atij tetë javë lirim me kusht për arsye mjekësore në tetor 2019./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne