Turqia dënon revistën Charlie Hebdo për karikaturat antimuslimane

Turqia dënoi ashpër revistën Charlie Hebdo për ribotimin e karikaturave që fyejnë Islamin dhe Profetin Muhamed.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Hami Aksoy tha se nuk është e mundur të justifikohet kjo fyerje dhe mosrespekt ndaj myslimanëve me pretekstin e lirisë së shtypit, artit ose shprehjes.

Aksoy tha se qëndrimi i autoriteteve franceze, veçanërisht presidentit Emmanuel Macron, për të shpërfillur incidentin me pretekstin e lirisë së shprehjes është gjithashtu “i papranueshëm”.

“Ata që e përkufizojnë veten si demokratë dhe liberalë në çdo rast, po i shërbejnë gjeneratës së re të fashistëve dhe racistëve në Francë dhe Evropë duke përdorur veprime të tilla raciste dhe diskriminuese që rrisin antiislamizmin dhe ksenofobinë”, tha ai.

Aksoy tha se ky “mentalitet patetik”, i cili përpiqet t’i tjetërsojë miliona myslimanë që jetojnë në paqe i jep goditje harmonisë shoqërore, unitetit dhe barazisë çdo ditë.

“Ata që po e bëjnë këtë pa vetëdije duhet të jenë të vetëdijshëm se po dëmtojnë paqen shoqërore”, shtoi ai.

Turqia u bën thirrje politikanëve dhe aleatëve evropianë të marrin një qëndrim të qartë kundër sulmeve të tilla që janë në rritje dhe dëmtojnë ndjenjat myslimane, përfundoi ai./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne