Hoxhë Dr. Justinian Topulli
E gjithë kjo urrejtje patologjike që shfaqin ndaj islamit të shqiptarëve, ata që fshihen pas shqiptarizmit apo fesë së të parëve, nuk buron thjesht nga shfaqjet dhe reagimet “radikale” apo “ekstremiste” të një pjesë të myslimanëve, por nga urrejtja që kanë ndaj vetë fesë islame, për më tepër kur shohin të habitur përmasat e përhapjes së dukshme të përkushtimit islam në radhën e të rinjve shqiptarë.
Ata ndjejnë smirë ekstreme, që nuk është ideologjia apo besimi i tyre, ai që ata përqafojnë, ndaj dhe kanë ngritur gjithë arsenalin e tyre propagandistik mbi injorancën e anakronizmave historikë, duke tentuar dhunshëm të identifikojnë Islamin me tradhtinë kombëtare dhe Katolicizmin (apo edhe ndonjë bindje tjetër) me shqiptarinë e vërtetë! Ndërkohë që nuk gjen asnjë ekuivalent të ngjashëm në radhët e myslimanëve.
Këta në fakt janë njerëz të sëmurë, që lëngojnë nga injoranca historike dhe pa diskutim, viktima të helmit global mediatik që hidhet ndaj Islamit dhe myslimanëve, sidomos në Perëndim, që për disa është Zoti dhe Perëndia e vetme që duhet të adhurojë bota.
Nuk para gjen myslimanë shqiptarë të mos e duan kombin apo ta mohojnë atë, edhe pse mund të mos jenë dakord me narrativën nacionaliste apo kulturore përjashtuese, që përdorin këta islamofobë.
Megjithatë këtyre njerëzve u duhet mësuar se kombi shqiptar u formësua mbi bazën e territorit, etnisë dhe të gjuhës, në shekullin e XIX dhe XX dhe jo mbi bazën e fesë. Dhe u duhet ta ngulisin në kokë se kombi është një shpikje moderne dhe nuk ekzistonte si koncept kur ilirët apo arbrit u bën të krishterë e më pas myslimanë, as edhe kur ishin politeistë. As gjuha dhe as etnia, nuk kanë qenë, përkatësitë apo identitet më të forta në mesjetë, jo vetëm për ne, por për të gjithë njerëzinë. Familja, fisi, krahina, feja, besnikëria politike ndaj një principate apo mbretërie, kishin përparësi në atë kohë edhe mbi etninë dhe atë që sot e quajmë komb.
Nëse dikush konvertohej në një fe tjetër, apo braktiste fisin dhe zotërinë e tij, që i detyronte besnikërinë, konsiderohej tradhtarë i tyre, por jo dikush që luftonte kundër së njëjtës enti, në krah të një të një tjetri, ndërkohë që me tjetrin mund ta lidhte feja apo besnikëria politike. Një arbër që luftonte për balshajt kundër topiave, në krah të venedikasve italianë dhe arbër të tjerë që luftonin në krah të aragonasve italianë kundër muzakajve, nuk shiheshin si tradhtarë të kombit apo më saktë të etnisë, sepse ky identitet ishte më i dobët sesa identitet e tjera që përmendëm. Mjafton të shikoni historinë e arbërve se pse ata herë ishin në anën e Venedikut apo Napolit apo Osmanëve, edhe përballë mund të kishin arbër të tjerë, në krah të të tjerëve, për të kuptuar se vetëm luftë për komb nuk bëhej atëherë. Për hakmarrje, për fe dhe për interesa ekonomike-politike po, por jo për komb.
Dhe kështu që kur lindi koncepti i kombit në Evropë dhe më pas u përhap, bashkë me ndryshimet e tjera konceptuale, erdhi edhe tek ne. Ndërkohë ne tashmë e kishim marrë Islamin si fe dhe kishim ndryshuar edhe emrin madje dhe shumica jonë e quante veten shqiptarë. Kështu që formimi i kombit dhe më pas i shtetit të parë shqiptar, lindi pikërisht kur ne i kishim këto përkatësi fetare që kemi edhe sot, myslimanë dhe të krishterë. Ndaj nëse i duhet njohur meritë për formimin e këtij kombi, ndonjë përkatësie fetare më shumë sesa një tjetre, ajo është përkatësie myslimane, sepse kur lindi kombi shqiptar, shqiptarët ishin shumica myslimanë me fe, dhe qenë pikërisht paria e tyre myslimane, faktori më i rëndësishëm i formimit të kombit dhe shtetit shqiptar.
Por ne si myslimanë shqiptarë, kombin nuk e kemi vetëm për vete dhe nuk përjashtojmë ata që nuk kanë fenë tonë nga të qenit shqiptarë, çka të tjerë e bëjnë lehtësisht dhe me bindje patetike!
Sigurisht që ky zell dhe kjo urrejtje islamofobike, që ka kjo minorancë (gjithsesi), favorizohet nga rrethanat mbizotëruese globale politike dhe kulturore të sotme, por që po sfidohen dita ditës, ndaj nuk është në interesin e askujt si shqiptarë, t’i fryjë urrejtjes dhe konfliktit ndërfetar. Nismat për rikthim në “fenë të parëve”, e nisma vrerëvjellëse të tjera ndaj Islamit dhe myslimanëve, vetëm se polarizojnë shoqërinë tonë edhe më shumë, a thua se nuk na mjaftojnë këto polarizime politike që kemi./kohaislame

















