Izraeli nuk do të mund t’i kthejë në mënyrë të sigurt qytetarët e vet në shtëpitë e tyre në veri të vendit, në kushtet e një luftë të gjerë me Hezbollahun ose Iranin, tha të dielën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Izraeli vazhdoi goditjen e objektivave në Liban të dielën, duke vazhduar trysninë ndaj Hezbollahut me sulme të reja pasi vrau udhëheqësin e grupit të mbështetur nga Irani, Sayyed Hassan Nasrallah.
Izraeli ka deklaruar se objektivi i tij është që të mbrojë zonat e tij veriore nga raketat e Hezbollahut dhe të mundësojë kthimin e mijëra banorëve të zhvendosur. “Një luftë e gjerë me Hezbollahun, aq më tepër me Iranin, nuk është rruga e duhur për ta arritur këtë objektiv. Nëse do t’i kthesh ata njerëz të sigurt në shtëpi, ne besojmë se rruga diplomatike është rruga e duhur,” tha zoti Kirby për rrjetin CNN.
Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje hapat e Hezbollahut për të plotësuar udhëheqjen e vet, pas eliminimit të Nasrallahut dhe figurave të tjera të larta “dhe po vazhdojnë të diskutojnë me izraelitët mbi hapat e ardhshëm të duhur,” tha ai. Ministria e Shëndetësisë e Libanit thotë se më shumë se 1,000 libanezë janë vrarë dhe 6,000 janë plagosur në dy javët e fundit. Qeveria tha se një milion njerëz – një e pesta e popullsisë – janë larguar nga shtëpitë e tyre./ VOA