Italia shpërndan toka/Plani italian për të nxitur lindjet dhe strategjitë e vendeve të tjera

Italia do t’u japë tokë familjeve që sjellin në jetë një fëmijë të tretë, një strategji kjo për të rritur numrin e lindjeve. Plani i iniciuar nga partia e djathtë, Lega, është pjesë e draftbuxhetit të qeverisë për vitin e ardhshëm. Italia ka numrin më të ulët të lindjeve në Bashkimin Europian. Sipas Eurostatit, që prej vitit 2010, lindjet kanë shënuar vetëm rënie në Itali.

Sipërfaqet e tokës në pronësi të shtetit do t’u jepen prindërve që sjellin në jetë fëmijë në periudhën 2019-2021. Teknikisht, toka do t’u jepet pa qira për një periudhë 20-vjeçare, por ende nuk është plotësisht e qartë se kush përfiton nga ky propozim. Lorenzo Fontana, ministri për Familjen dhe Personat me Aftësi të Kufizuara, thotë se nga kjo ofertë e shtetit duhet të përfitojnë vetëm çiftet e martuara dhe jo ata që thjesht bashkëjetojnë.

Nxitja e lindjeve në vendet e tjera të Europës

Polonia

Qeveria e Polonisë ka investuar rreth 700 mijë euro në një fushatë publicitare që i nxit qytetarët të “shtohen si lepujt”. Një video 30-sekondëshe tregon një grup lepujsh që hanë karota, ndërsa një tjetër tregon sekretet për të shtuar numrin e pasardhësve: stërvitje, jetesë e shëndetshme dhe shmangie e stresit.

Rusia

Në vitin 2006, Vladimir Putin tha se Rusia po përballej me një nga sfidat më serioze: krizën demografike. Një prej rajoneve të Rusisë, për të gjetur zgjidhje në lidhje me këtë problem, krijoi një festë të posaçme, duke u dhënë kështu çifteve kohë për fëmijë. Çdo 12 shtator, në Ulyanovsk, vendlindja e Leninit, festohej Dita e Ngjizjes. Nëse një çift sillte në jetë një fëmijë fiks 9 muaj pas kësaj dite, shpërblehej me çmim. Meshkujve u jepeshin pajisje sportive, ndërsa femrave elektroshtëpiake.

Finlanda

Finlanda ishte e para që prezantoi “kutinë e bebes”, në vitin 1938. Shteti u mundësonte nënave të reja një kuti plot me rroba dhe produkte të nevojshme për beben. Në fillesat e saj, kjo ide përfshinte një kuti, që përdorej si krevat, pasi familjet e varfra të Finlandës së pasluftës nuk kishin një vend ku ta vinin beben të flinte.

Danimarka

Një agjenci udhëtimesh në Danimarkë, Spies Travel, ishte e para që përdori patriotizmin për të nxitur çiftet të bënin fëmijë. Videoja që u bë virale në vitin 2014, me titull “Do it for Denmark”, synonte të ndihmonte qeverinë të gjente një zgjidhje për rënien e numrit të lindjeve. Kjo u pasua nga një tjetër video e ngjashme “Do it for Mom”, e cila nxiste gjyshërit të ndihmojnë djemtë dhe vajzat e tyre të gjenin kohë për intimitet.

Spanja

Spanja u përpoq ta luftonte rënien e numrit të lindjeve me një strategji tjetër vitin e shkuar. Edelmira Barriera Diz, një eksperte e çështjeve demografike dhe deputete në Parlament, iu caktua detyra e ministres së seksit, që ka për qëllim të gjejë format për t’i nxitur spanjollët të riprodhohen. Kjo u pa si e domosdoshme që pas vitit 2014, kur për herë të parë që prej vitit 1941, numri i vdekjeve e kaloi numrin e lindjeve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne