Izrael, nuk ka shtetësi për palestinezët në tokat e aneksuara

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të vazhdojë me planin e tij të aneksimit në Bregun Perëndimor të okupuar.

Në një intervistë me të përditshmen izraelite “Israel Hayom” të publikuar sot, Netanyahu tha se palestinezët që jetojnë brenda zonave të aneksuara në Luginën e Jordanit dhe Bregun Perëndimor do “të mbeten subjekte palestineze në enklava” nën kontrollin e sigurisë izraelite, por pa shtetësi izraelite.

“Nëse palestinezët pajtohen me të gjitha ato (kushtet e Netanyahut), atëherë ata do të kenë një entitet të vetin që presidenti Trump e përcakton si shtet”, u citua të ketë thënë Netanyahu.

Ai tha se palestinezët duhet të plotësojnë dhjetë kushte të vështira sipas planit të Trumpit për të pasur shtetin e tyre.

Kushtet përfshijnë njohjen nga ana e palestinezëve të “sovranitetit të Izraelit në territoret në perëndim të Jordanit, duke e mbajtur Kudsin të bashkuar, moshyrjen as të një refugjati të vetëm, asnjë zhvendosje të vendbanimeve dhe sovranitetin e Izraelit në shtigjet e gjera të Judeas dhe Samarias (Bregu Perëndimor) dhe të tjera”.

Netanyahu shtoi se palestinezët duhet të pranojnë që Izraeli “kontrollon sigurinë në të gjitha fushat”.

Izraeli pritet të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor më 1 korrik, siç u pajtuan Netanyahu dhe Benny Gantz, lideri i aleancës “Kaltër dhe Bardhë”.

Plani vjen si pjesë e të ashtuquajturës “Marrëveshja e Shekullit” e presidentit amerikan Donald Trump që u njoftua në 28 janar, i cili i referohet Kudsit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur me ura dhe tunele.

Bregu Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, konsiderohet si territor i okupuar sipas ligjit ndërkombëtar, duke i bërë të gjitha vendbanimet hebreje të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne