Izrael – Presidenti Rivlin autorizon Benny Gantz për formimin e qeverisë së koalicionit

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin e ngarkoi me detyrë për formimin e qeverisë liderin e aleancës “Kaltër-Bardh”, Benny Gantz, i cili doli i dyti në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 2 mars.

Rivlin e ngarkoi me detyrë Gantz, i cili gjithashtu ka marrë mbështetjen e Bllokut të Listës së Përbashkët Arabe që përbëhet nga partitë që përfaqësojnë palestinezët izraelitë, që të formojë një qeveri koalicioni.

Në zgjedhjet e fundit të parakohshme, të tretat brenda një viti, të mbajtura më 2 mars ka fituar Partia “Likud” e Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Partia Likud dërgoi 36 deputetë në parlamentin e Izraelit me 120 vende.

Aleanca Kaltër-Bardh e kryesuar nga Gantz u radhit e dyta me 33 deputetë, ndërsa Blloku i Listës së Përbashkët Arabe ishte i treti me 15 vende.

Sipas ligjit kandidati i caktuar nga Presidenti për të formuar qeverinë e koalicionit duhet të krijojë qeverinë brenda 28 ditëve, por kjo periudhë mund të zgjatet për 2 javë.

Nëse kandidati në fjalë nuk arrin të formojë qeverinë e koalicionit në kohën shtesë të dhënë, Presidenti do të emërojë kandidatin tjetër për të formuar qeverinë e koalicionit.

Në qoftë se edhe ky kandidat nuk arrin të formojë qeverinë brenda 28 ditëve, atëherë Presidenti ia jep detyrën parlamentit.

Ndërkaq nëse parlamenti nuk mund të pajtohet për një emër që do të formojë qeverinë brenda 3 javësh, atëherë sërish do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në vend./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne