Izraeli dhe EBA do të fillojnë bashkëpunim në sektorin financiar dhe të investimeve

Në vazhdën e marrëveshjes së diskutueshme të normalizimit të marrëdhënieve të arritur muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraeli njoftuan sot një marrëveshje për të rritur investimet dypalëshe dhe bashkëpunimin financiar.

Marrëveshja u nënshkrua midis Zyrës së Investimeve Abu Dhabi (ADIO) që është në pronësi shtetërore të EBA-s dhe agjencisë “Invest in Israel” të Ministrisë së Ekonomisë të Izraelit.

“Organizatat do të shqyrtojnë fusha reciprokisht të dobishme të bashkëpunimit për të zhbllokuar investimet dhe mundësitë e partneritetit për kompanitë në Izrael dhe Abu Dhabi me një fokus të fuqishëm në inovacionin dhe teknologjinë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga të dy palët.

Në njoftim gjithashtu thuhet se takime të mëtejshme do të zhvillohen në muajin shtator.

Gjithashtu citohet Ziva Eger, shefja ekzekutive e “Invest in Israel”, duke thënë: “Ekosistemi i Izraelit ka shumë për t’i ofruar ekonomisë së EBA-s për sa i përket inovacionit, veçanërisht në sektorët e Shkencave të Jetës, CleanTech, Agtech dhe Energjisë”.

Nga ana tjetër, Tariq Bin Hendi, drejtori i përgjithshëm i ADIO, tha se ekipi i tij i marrëdhënieve me investitorët do të “lehtësojë lidhjet në të gjithë ekosistemin në Abu Dhabi” për të rritur bashkëpunimin me “Invest in Israel”.

Më herët gjatë ditës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se Tel Aviv dhe Abu Dhabi janë dakorduar të formonin një komitet të përbashkët për të shqyrtuar bashkëpunimin dhe investimet dypalëshe të shërbimeve financiare.

Të hënën, një delegacion izraelito-amerikan mbërriti në Abu Dhabi në fluturimin e parë komercial izraelit për në EBA.

Ky veprim erdhi pasi të dy vendet njoftuan një marrëveshje të diskutueshme për normalizimin e marrëdhënieve më 13 gusht, që u kritikua nga shumica e botës muslimane dhe udhëheqësve palestinezë si tradhëti ndaj popullit palestinez./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne