Izraeli kërcënon të sulmojë Libanin nëse Hezbollahu nuk largohet nga zona kufitare

Izraeli kërcënoi se do të sulmojë Libanin nëse grupi Hezbollah nuk tërhiqet nga zona kufitare në Libanin jugor.

Ministri i Jashtëm Israel Katz, gjatë një takimi me homologun e tij italian Antonio Tajani në Kudsin Perëndimor, i bëri thirrje qeverisë libaneze “të dëbojë Hezbollahun nga Libani jugor ose përndryshe Libani do të përballet me një goditje shkatërruese nga e cila nuk do të rimëkëmbet”.

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit pas nisjes së ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë afro 25.700 njerëz pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme izraelite, Katz dhe Tajani kanë rënë dakord për rinovimin e aktivitetit të linjës ajrore italiane në Izrael, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe turizmit.

Ministri italian, nga ana e tij, tha në “X” se ai është dakord me Katz “për të forcuar iniciativat e përbashkëta humanitare” për palestinezët në Gaza dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të “trajtuar 100 fëmijë (të plagosur) nga Gaza në Itali”.

Në një postim tjetër në X mbi takimin e tij me presidentin izraelit Isaac Herzog, ai tha se vendi i tij mbështet zgjidhjen me dy shtete “si e vetmja mënyrë për paqen në Lindjen e Mesme”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne