Izraeli lë palestinezët pa ujë

Rreth 3 mijë e 500 persona në Luginën Jordan që ndodhet në Bregun Perëndimor, janë viktimë të ndërprerjes së ujit nga Izaeli, raporton Anadolu Agency (AA).

Izraeli më 30 prill me buldozerë shkatërroi rrjetin e ujit në Komunën Berdele në kufi me Jordaninë dhe që është e rrethuar me vendbanimet hebrenje. Si pasojë e kësaj i gjithë ky rajon mbeti pa ujë.

Kryetari i Komunës Berdele, Ali Shadi në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se popullata e këtij rajoni mbijeton me blegtori dhe bujqësi. “Popullata e kësaj qyteze po jeton pa ujë për ditë të tëra. Vera ka ardhur herët tek Lugina Jordan. Zonat e kultivuara janë pothuajse duke u shkatërruar ndërsa njerëzit po detyrohen të bartin ujë nga vende të largëta”, tha ai.

Sipas tij, tubacionet e ujit të cilat shkojnë në vendbanimet hebrenje kalojnë nga fushat e tyre por nuk lejohet përdorimi i tyre.

Shadi tha se në vendbanimin Mikula i cili ndodhet pranë tyre jetojnë afro 600 kolonë hebrenjë. “Kanë ujë në sasi të madhe. Ata konfiskuan edhe tokat të cilat kishin filluar të gjelbërohen. Kurse ne nuk mund ta përdorim ujin”, thotë ai.

Kurse Dirar Savafta i cili merret me blegtori tha se Izraeli po praktikon një politike raciste ndaj palestinezëve në Luginën Jordan. Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Izraelit është që duke lënë pa ujë “që t’i dëbojë palestinezët nga rajoni”.

Duke vënë në dukje se ata nuk mund të jetojnë në këtë vend pa ujë, Savafta tha se “Fushat dhe kafshët kanë nevojë për ujë. Kafshët tona do të vdesin për shkak të mungesës së ujit të mjaftueshëm”.

Ndërkaq, Yusuf Savafta i cili merret me bujqësi tha se stina e verës këtë vit ka ardhur më herët dhe që ato që janë kultivuar do të thahen për shkak të mungesës së ujit.

“Na kanë ndalur ujin tonë pa ndonjë arsye. Po na lënë neve të privuar nga uji për interesa të atyre që jetojnë në vendbanimet hebrenje”, tha Savafta.

Në rajonin e Luginës Jordan jetojnë rreth 10 mijë palestinezë, prej të cilëve rreth mijë jetojnë në tenda dhe Baraka.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne