Izraeli mbylli 5 ambasada për shkak të koronavirusit

Izraeli ka njoftuar mbylljen e ambasadave të saj në Gjermani, Spanjë, Greqi, Holandë dhe në Qipron Jugore për shkak të përhapjes së koronavirusit Covid-19.

Ambasada izraelite në Gjermani u mbyll pasi ambasadori, Jeremy Issacharoff dhe ndihmësi i tij ishin pozitiv në testin e koronavirusit të ri, raportoi e përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”, duke cituar një deklaratë të Ministrisë së Jashtme.

Deklarata më tej vuri në dukje mbylljen e ambasadës së Izraelit në Madrid pasi edhe aty ambasadori testoi pozitiv dhe i gjithë personeli u karantinua.

Në ambasadën izraelite në Athinë, një anëtar i stafit dhe familja e tij gjithashtu rezultuan pozitiv, duke çuar në mbylljen e ambasadës.

Ndërkohë, një anëtar i stafit testoi pozitiv në ambasadat e Izraelit në Hagë dhe Qipron Jugore, duke çuar në mbylljen e tyre.

Ministria e Shëndetësisë së Izraelit dje konfirmoi 90 raste të reja të koronavirusit, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 427.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur Evropën epiqendër të re të virusit, pasi fillimisht shpalli qytetin kinez Wuhan, ku për herë të parë u shfaq koronavisuri dhjetorin e kaluar.

Sëmundja ka shkaktuar bllokime dhe anulime të fluturimeve në shumë pjesë të botës.

Megjithë numrin në rritje të rasteve, shumica e personave që infektohen vuajnë nga simptoma të buta dhe shërohen./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne