Kurti sqaron vendimin për shkarkimin e ministrit të LDK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shkelur rregullat e marrëveshjes së koalicionit me daljen në mbrojtje të idesë së presidentit Hashim Thaçi për shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë për shkak të koronavirusit (COVID-19)”.

Kurti në një konferencë për media të mërkurën mbrëma tha se marrëveshja e koalicionit VV-LDK parasheh që “nuk mund ta mbështesësh gjendjen e jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit”.

Kurti , cili në këtë konferencë ka folur kronologjikisht për masat e ndërmarra nga qeveria për parandalimin e koronavirusit COVID-19, me ç’rast ka lavdëruar institucionet përkatëse për punën e tyre, ka thënë se e përbashkëta e të gjitha raporteve të autoriteteve që po merren me virusin pandemik është që “asnjëra nuk rekomandon se situata është e jashtëzakonshme apo jashtë kontrollit”.

Megjithatë, presidenti Thaçi mbrëmë pas një takimi me Këshillin e Sigurisë Kombëtar, kërkoi të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për koronavirusin COVID-19, gjë që ndau në dysh dy partitë në pushtet, VV-në dhe LDK-në; të parën kundër kësaj ideje dhe të dytën pro shpalljes.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Agim Veliu, dje në një intervistë për një televizion vendor mbështeti hapur idenë e presidentit, gjë që bëri që Kurti të ndërmarrë masa duke e shkarkuar atë.

“Nuk mund të kemi në qeverinë e re ministra që i sinkronizojnë e harmonizojnë qëndrimet me dikë jashtë qeverisë së re, me dikë nga regjimi i vjetër. Ajo kohë dhe ai kapitull është mbyllur dhe ka marrë fund. Prandaj edhe njerëzit kur janë në këtë qeveri, duhet të jenë, bëjnë dhe flasin sikur janë në këtë qeveri, jo sikur në ndonjë qeveri të mëhershme apo diku tjetër”, tha Kurti.

Kurti tha se marrëveshja e koalicionit VV-LDK gjithashtu parashikon qartë edhe çështjen e tarifës, duke u zëvendësuar me masën e reciprocitetit me Serbinë. Ndërsa LDK-ja po kërkon tani heqje të plotë të saj, VV ka këmbëngulur për heqje graduale.

I pari i qeverisë shtoi se Veliu bëri “tradhti ndaj qeverisë dhe Policisë së Kosovës e cila e kreu detyrën në mënyrën më të mirë”. Kurti tha se policia në kohën kur Veliu mbështeti “gjendjen e jashtëzakonshme”, po punon ende me orar tetëorësh, siç punon normalisht. Kurti tha se ai do “edhe më tutje bashkëpunim, porse duhet të respektohen marrëveshjet edhe në frymën edhe në germën e tyre”.

Sa i përket mocionit të propozuar nga LDK për rrezimin e qeverisë së udhëhequr nga ai, Kurti tha se duhet të pritet.

“Ne duhet të presim se çfarë do të bëjnë, çfarë do të shkruajnë e çfarë do të veprojnë e pastaj ne të përgjigjemi. Mendoj që tash duhet të përqendrohemi maksimalisht si qeveri, me gjithë kabinetin qeverisës për luftimin e koronavirusit. Është e domosdoshme t’i maksimizojmë përpjekjet dhe t’i shtojmë masat. Masat mund të jenë të jashtëzakonshme, por s’ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme të shpallur, aq më pak nga ndonjë ministër në mesnatë”, shtoi Kurti.

Kurti e shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me arsyetimin se ka përhapur panik të panevojshme lidhur me përhapjen e koronavirusit COVID-19, për të cilën Qeveria e Kosovës nëpërmjet një njoftimi tha se “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.

Kryetari i LDK-së nëpërmjet një konference për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së tha se kanë vendosur që të iniciojnë mocion mosbesimi në Kuvendin e Kosovës ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne