Izraeli për rastin Khashoggi: U besojmë deklaratave të Arabisë Saudite

 Rasti me zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ka tërhequr vëmendje të madhe në opinionin botëror, ndërsa lidhur me këtë, për herë të parë janë prononcuar autoritetet e Izraelit.

Gazetari dhe kolumnisti i The Washington Post, u zhduk më 2 tetor, pasi hyri në kompleksin e konsullatës saudite në Stamboll.

Ai njihej si kritik i politikave të qeverisë aktuale të Rijadit zyrtar, ndërkohë që përkrahte edhe gazetën “Al Watan”, platforma kryesore e reformistëve sauditë.

Një zyrtar i lartë i qeverisë izraelite, i pa emëruar, i tha redaksisë londineze të gazetës saudite “Llaf” se Izraeli u beson deklaratave që vijnë nga Arabia Saudite, dhe jo lajmeve nga Turqia.

“Izraeli ndjek më vëmendje rastin në fjalë. Lajmet të cilat vijnë nga Turqia nuk janë të bazuara në prova prandaj Tel Avivi zyrtar është në anën e Rijadit”, ka thënë ai.

Ai gjithashtu tha se Izraeli është duke pritur rezultatet e hetimit të përbashkët të cilin po e zbatojnë hetuesit turq dhe sauditë, ndërkohë që akuzoi mediat për raportime të njëanshme të bazuara në informacione nga rrjetet sociale dhe jo në bazë të deklaratave zyrtare nga Arabia Saudite.

Paralelisht me këtë, analisti nga lëmi i sigurisë që shkruan për gazetën izraelite “Maariv”, Yossi Melman, më parë shkroi në rrjetet sociale se shërbimi i inteligjencës izraelite MOSSAD mund të ketë qenë i përfshirë në rastin e zhdukjes së gazetarit Khashoggi.

“Shpresoj që MOSSAD të mos ketë qenë i përfshirë as në mënyrë indirekte në vrasjen e Khashoggit”, shkroi Melman.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne