Izraeli rihap portat e Xhamisë Al-Aksa

Forcat policore të Izraelit rihapën mëngjesin e së shtunës të gjitha hyrjet e Kompleksit të Xhamisë Al-Aksa, të cilat i patën mbyllur një ditë më parë…

Forcat policore të Izraelit rihapën mëngjesin e së shtunës të gjitha hyrjet e Kompleksit të Xhamisë Al-Aksa, të cilat i patën mbyllur një ditë më parë.

Portat e Xhamisë Al-Aksa, në Jerusalemin Lindor të pushtuar, u mbyllën të gjitha ditën e premte pasi një i ri palestinez u martirizua nga forcat izraelite pasi, siç pretendohet, pati tentuar më herët gjatë ditës së djeshme të sulmojë me thikë një grup policësh izraelitë në hyrje të kompleksit.

Dëshmitarët okularë pohojnë se të gjitha hyrjet në Al-Aksa janë hapur përsëri në orët e mëngjesit.

Në një prononcim të premten për Agjencinë Anadolli (AA), drejtori i Xhamisë Al-Aksa, Sheiku Omar Kiswani, tha se Izraeli e ka bërë mbylljen e vendit të shenjtë një dukuri të rregullt.

Policia izraelite e ka mbyllur Kompleksin Al-Aksa edhe dy herë të tjera gjatë muajit të kaluar.

Nga viti 2003 e këtej, forcat izraelite shoqërojnë kolonët hebrenj në Kompleksin Al-Aksa, kurse për myslimanët vendosin shpeshherë kufizime moshe për të hyrë në këtë vend të shenjtë.

Duke u nisur nga pretendimet se aty ndodhen rrënojat e Tempullit të Solomonit, autoritetet izraelite kryejnë gërmime të fshehta nën Kompleksin Al-Aksa duke rrezikuar me këtë edhe objektet e tjera historike.

Për myslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë, pas Xhamisë së Madhe në Mekë dhe Xhamisë së Profetit në Medinë. Çifutët i referohen zonës si “Mali i Tempullit” duke pretenduar se aty ndodheshin dy tempuj të lashtë hebrenj.

Izraeli e pushtoi Jerusalemin Lindor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Ai e aneksoi qytetin në vitin 1980 duke e cilësuar atë si kryeqytetin e shtetit të vetëshpallur hebraik, një vendim që nuk është njohur kurrë nga bashkësia ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne