Izraeli vazhdon ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor

Kolonët hebrenjë filluan ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme të martën në jug të Bregut Perëndimor nën okupim pasi pushtuan tokat palestineze.

Dëshmitarët okularë thanë se një numër i madh i kolonëve sulmuan pjesën veriore të fshatit Halhul në Al-Khalil.

Ndërsa palestinezët nuk lejohen të hyjnë në zonë, e cila u shpall “zonë ushtarake” nga ushtria izraelite, kolonët hebrenjë filluan përgatitjet për ndërtim pas vendosjes të flamujve izraelitë në këtë zonë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu vazhdimisht ka deklaruar se do të aneksojë të gjitha vendbanimet kolone dhe Luginën e Jordanit që nga 1 korriku në bazë të një marrëveshjeje me rivalin e tij të dikurshëm, tani aleat i tij Benny Gantz, kreu i koalicionit “Kaltër e Bardhë”.

Zyrtarët palestinezë kanë kërcënuar se do të shfuqizojnë marrëveshjet bilaterale me Izraelin nëse ai vazhdon me aneksimin, i cili do të dëmtonte më tej zgjidhjen me dy shtete.

Aneksimi buron nga e ashtuquajtura “Marrëveshja e Shekullit” të presidentit amerikan Donald Trump, e cila u shpalos më 28 janar dhe e cila i referohet Kudsit si “kryeqyteti i pandarë i Izraelit” dhe njeh sovranitetin e Izraelit mbi pjesë të mëdha të Bregut Perëndimor.

Plani kërkon krijimin e një shteti palestinez në formën e një arkipelagu të lidhur përmes urave dhe tuneleve.

Zyrtarët palestinezë thonë se sipas planit amerikan, Izraeli do të aneksojë 30 deri 40 për qind të Bregut Perëndimor, përfshirë të gjithë Kudsin Lindor.

Rreth 650 mijë hebrenjë izraelitë aktualisht jetojnë në më shumë se 100 vendbanime të ndërtuara që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Palestinezët duan këto territore, së bashku me Rripin e Gazës, për krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez.

E drejta ndërkombëtare i sheh Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si “territore të okupuara” dhe i konsideron të gjitha aktivitetet ndërtimore të vendbanimeve hebraike atje si të paligjshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne