Shqiperia

Jamtin: Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, deklaroi drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), Carin Jamtin, gjatë një takimi me ministrin shqiptar të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ajo theksoi se ky është edhe qëllimi kryesor i punës së Zyrës së SIDA-s në Tiranë. Në këtë kuadër, ajo theksoi rëndësinë e veçantë të reformës në drejtësi.

Nga ana e tij, ministri vlerësoi mbështetjen e Suedisë në të gjitha hapat e procesit integrues të Shqipërisë në BE. Ahmetaj shprehu bindjen se Suedia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në kuadër të diskutimeve për hapjen e negociatave.

“Është një sfidë për të cilën Shqipëria është tashmë e përgatitur ta përballojë”, tha ministri.

Gjatë takimit u diskutua edhe për shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Suedisë, të cilat kanë shënuar një rritje me 56% në vitin 2017, krahasuar me 2016-n.

Në vitin 2017, tregtia midis vendeve arriti në 31,7 milionë euro me një rritje me 56% në krahasim me vitin 2016. Eksportet me Suedinë ishin rreth 19 milionë euro dhe importet nga Suedia rreth 13 milionë euro. Mallrat kryesore të importuara nga Suedia janë mjete transporti, mjete pune, lëndë drusore apo medikamente. Ndërsa Shqipëria eksporton kryesisht veshje, ferro-lidhje apo gaze të naftës; etj.

Ahmetaj u bëri thirrje sipërmarrjeve suedeze të shfrytëzojnë potencialet e krijuara nga nismat e fundit të qeverisë shqiptare, siç është edhe derregullimi.

“Ka patjetër shumë potencial të pashfrytëzuar midis dy vendeve. Ky është një moment shumë i mirë për ekonominë shqiptare, me një sërë nismash që janë ndërmarrë apo ndërmerren si reforma e derregulimit për lehtësimin e klimës së biznesit apo dhe incentivat fiskale në sektorë të rëndësishëm si turizmi dhe industritë e teknologjisë së informacionit. Janë mundësi që duhen shfrytëzuar nga sipërmarrjet dhe investitorët suedezë, ndaj unë përfitoj nga ky komunikim që të ripërsëris edhe njëherë ftesën time”, tha ministri.

Sipas tij, në Shqipëri operojnë aktualisht, duke iu referuar marsit të vitit 2018, një numër prej 20 ndërmarrjesh aktive suedeze në sektorin e tregtisë me shumicë e pakicë, industrisë përpunuese dhe shërbimeve, bujqësi, pyje, peshkim, megjithatë kapitali i investuar është akoma i ulët.

“Ka patjetër shumë potencial të pa shfrytëzuar mes dy vendeve. Një nga shiftrat që ia vlen të përmendet është rritja, gati dyfishimi vit pas viti, i numrit të turistëve suedezë në Shqipëri. Është rritur nga 10 mijë në 25 mijë numri i qytetarëve suedezë të ardhur nëpërmjet agjencive. Pra, siç e shikoni, tërheqja që kanë vendet e Evropës veriore, në rastin konkret Suedia, për turizmin shqiptar tregohet në numra gjithmonë e në rritje”, deklaroi Ahmetaj.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes qeverisë shqiptare dhe SIDA-s duke vënë theksin në disa nga projektet kryesore të financuara nga kjo agjenci në Shqipëri.

Ministri veçoi ndihmën për reformën administrative territoriale dhe projektin e “Ngritjes së Sistemit të Vlerësimit të Pronës mbi Bazën e Vlerës së Tregut” apo, siç i referohemi ndryshe, “Kadastra Fiskale”, për të cilin disa ditë më parë, tha ai, “nënshkruam edhe një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesin e SIDA, Lars Leijkvist”. /ATSH

OPINIONE