“Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, reagon Idrizi: Takim urgjent për herë të fundit me Bushatin!

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi ka reaguar lidhur me marrëveshjen Shqipëri-Greqi. Gazeta greke “Protothema” në një shkrim të saj jepte detaje nga ajo se për çfarë kanë arritur Bushati dhe Kotzias. “Japin Epirin e Veriut për Çamërinë që nuk ekziston”, ishte titulli i artikullit.

Mirëpo për këtë marrëveshje ka reaguar kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi. Në një reagim në Facebook, Idrizi thekson se Çamëria nuk shitet, nuk barazohet me Vorio-Epirin, dhe nuk negociohet.

“Shoqata Çameria dhe PDIU, do kërkojë në mënyrë të përsëritur dhe për herë të fundit takim urgjent me Z.Bushati, për të bërë transparencë dhe për ti thënë dhe ministrit tonë të Jashtëm, që deri më sot ka folur boll me heshtjen e tij”, shkruan ndër të tjera Idrizi.

Reagimi i Shpëtim Idrizit:

Çamëria nuk shitet, nuk barazohet me Vorio-Epirin, nuk e negocioni dot

Çamëria zgjidhet nga burra shteti me dinjitet Kombëtar!

Kemi kërkuar në mënyrë të përsëritur transparenc nga Bushati, deri më sot na është përgjigjur Kotzias i majmur, i kënaqur dhe arrogant, se për Çamërinë nuk kemi biseduar e nuk bisedojmë. Kemi kërkuar zbatimin e “Rezolutës për Çamërinë”, na përgjigjen mediat greke se do barazohet termi Çamëri me Vorio-Epirin.
Kemi kërkuar që pleqtë tanë të shkojnë e të shohin dhe njëherë shtëpitë e tyre nga ku ikën nga barbaritë e sandarteve greke kërthinj, na përgjigjen me marrëveshjet për Toponimet, ku prindërit tanë duhet të ndërrojnë
vendlindjet në pasaportat Shqiptare.

Kemi kërkuar të ketë një varrezë njerëzore e një përmendore kujtese për mijëra pleq, gra e fëmijë, që u vranë jo në lufte, po në shtëpitë e tyre me bukë në gojë pabesisht.
Na përgjigjen me varrezat e ushtarëve grek që erdhën si pushtues në Shqipëri, e me përmendoret e turpit të kriminelit Napolon Zerva, në disa qytete në Greqi.

Kemi kërkuar statusin e minoritet etnik shqiptar në Greqi për shqiptarët në Çameri e Arvanitasit dhe hapjen e shkollave shqipe në Çamëri, status që e kanë patur që në vitin 1927.

Na përgjigjen me ligjin për Minoritetet, ku e nxorrën Shqiperinë me 9 minoritete, e zgjerimin e zonave minoritare Greke jo vetëm në Finiq e Dropull, ku ishin të përcaktuara që në vitin 1937, në kohën e mbretit Zog, e që Shqipëria duhet të vazhdojë me avancimin e të drejtave të minoritet grek në Shqipëri, shkoni e shikoni në Bashkinë e Konispolit që u krijua falë deputëve të PDIU-së, se si trajtohet minoriteti grek nga një
kryetar Bashkie nga Çameria.

Kërkuam 12 vjet heqjen e ligjit të luftës. Na përgjigjen pas 11 vjetësh që po egziston, do ta heqim, po Kotzias e Bushati nxitojnë të thonë që do të hiqet, po Çamët nuk përfitojnë. Krejt e kundërta është e vërtetë dhe ata e
dinë mirë…

Kush mund të mendojë që ka fuqi e këllqe të varrosë Çështjen Çame, e ka gabim dhe të pamundur. Gafurrët e vetkenaqen kot në Athinë e në Tiranë, se duhet të lexojnë 74 vjet histori tonën, që s’na kanë mundur dot
as vrasjet, as shpërnguljet, as diskriminimi dhe as harresa.

Kemi kërkuar mbylljen e marrëveshjes fillimisht për kufijtë tokësor e detar, kufijë të caktuar nga Traktati i Firences që në vitin 1923, e që Greqia akoma nuk e ka ratifikuar. Na përgjigjet Kotzias që do zgjerohemi nga 6 në 12 milje me Shqipërinë në hapesirën detare.
Çdo të thotë kjo?

Na përgjigjen këta tanët se kjo marrëveshje do jetë më e mirë se e para. Çdo të thotë, ata shiten më shumë, e ne më pak. Apo na futi interesi i Greqisë për zonat Ekonomike me kokë në det, kur ne duhet të ishim me këmbë në tokë, për të mbyllur marrëveshjen për kufijtë tokësor më parë.

Sot dhe Gjykata Kushtetuse nuk është funksionale, uroj mos të jetë e qëllimshme.

Integriteti e sovraniteti Kombëtar nuk negociohet por zgjidhet, ajo që i përket Shqipërisë është e shqiptarëve, na e kanë lënë amanet të parët, duhet t’ja lëmë amanet të pa cenuar fëmijëve .

Shoqata Çameria dhe PDIU, do kërkojë në mënyrë të përsëritur dhe për herë të fundit takim urgjent me Z.Bushati, për të bërë transparencë dhe për ti thënë dhe ministrit tonë të Jashtëm, që deri më sot ka folur boll me heshtjen e tij.

Në rast të kundert, e nëse dikush mendon që ta tradhëtojë Çamërinë, ne do ftojmë të gjithë Shqiptarët në protesta masive, në bojkot të produkteve greke, duke radikalizuar fort qëndrimin tone e të gjithë Shqiptarëve patriot, që i bashkon dinjiteti Kombëtar!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne