Japonia do të dhurojë 2 milionë dollarë ndihmë humanitare për Hawaiin

Pasi numri i të vdekurve shkoi mbi 100 nga zjarret pyjore në shtetin amerikan të Hawaiit, Japonia njoftoi se do të japë 2 milionë dollarë ndihmë humanitare për rajonin dhe për viktimat e fatkeqësisë.

Sipas Kyodo News, ministri i Jashtëm japonez Hayashi Yoshimasa ka bërë një deklaratë para gazetarëve për vendimin e dhënies së ndihmave humanitare për Hawaiin, i cili ka luftuar me zjarret që prej 8 gushtit.

Duke thënë se shtëpitë e disa japonezëve që banojnë në ishullin Maui janë dëmtuar nga zjarret, Hayashi tha se informacioni i konfirmuar se ndonjë shtetas japonez është dëmtuar nuk i është përcjellë atij.

Hayashi njoftoi se Japonia do të sigurojë 2 milionë dollarë ndihma humanitare që do të përdoren për operacionet e evakuimit nga zona e katastrofës, logjistikë ushqimore, mbështetje psikologjike dhe qëllime të tjera për të mbështetur ata që humbën të afërmit dhe pronat e tyre nga zjarret.

Duke thënë se 1,5 milion dollarë ndihma humanitare do të dërgohen në zonën e fatkeqësisë përmes Kryqit të Kuq Amerikan, Hayashi deklaroi se pjesa tjetër do të bëhet përmes organizatës jofitimprurëse japoneze ‘Platforma’ me bazë në Tokio.

Ministri Hayashi deklaroi se vendi i tij ka krijuar marrëdhënie miqësore me Hawaiin gjatë viteve dhe se do të vazhdojë të mbështesë viktimat e fatkeqësisë “për rimëkëmbjen e rajonit sa më shpejt të jetë e mundur”.

– Zjarret në Hawaii

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se do të vizitojë shtetin e Hawwait sa më shpejt të jetë e mundur, duke deklaruar se zjarret në Hawaii janë “më vdekjeprurëset në më shumë se një shekull” në SHBA.

Guvernatori i Hawaiit, Josh Green, deklaroi se gjatë punës së vazhdueshme të ekipeve të kërkim-shpëtimit në rajon, “ata mund të gjejnë 10 deri në 20 trupa në ditë” dhe se mund të duhen deri në 10 ditë për të përcaktuar numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Autoritetet raportuan se numri i vdekjeve për shkak të zjarreve pyjore në Big Island dhe ishullin Maui dhe që shkatërruan qytetin historik Lahaina u rrit në 106./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne